Interviste

Countryman: Ndryshimi i kufijve të Kosovës nuk është zgjidhje e këtij shekulli

Ideja e ndryshimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk është zgjidhje e shekullit 21, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-zëvëndës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështje evropiane, Thomas Countryman. Sipas tij, arritja e një marrëveshje midis dyja vendeve duhet të merret nga liderët dhe qeveritë përkatëse dhe se ky nuk është një vendim që mund të imponohet nga Shtetet e Bashkuara.

Në këtë intervistë, ish përgjegjësi për Ballkanin në Departamentin e Shtetit flet edhe për rrezikun që paraqesin disa liderë të Ballkanit për qytetarët e vendeve të tyre si dhe mundësinë e një konflikti të ri në rajon.

Raportet mes Kosovës dhe Serbisë janë tanimë në “pikën e tyre më të nxehtë”. Ekspertët thonë se arritja e një marrëveshjeje do t’i jepte fund “luftës së ftohtë” mes dy vendeve. Një ndër idetë është edhe ndryshimi i kufijve. Cili është mendimi juaj?

Vendimi duhet të merret nga udhëheqësit, qeveritë dhe populli i Kosovës dhe Serbisë. Pra, nuk është një vendim për të cilin Shtetet e Bashkuara kanë veto. Megjithatë, shumë vëzhgues janë të shqetësuar se ndryshimet territoriale midis Kosovës dhe Serbisë mund ketë disa pasoja negative. Kjo mund të çonte në diskutimet nëse kufijtë duhet të jenë në bazë të vijave etnike në vende si Maqedonia e Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovina dhe kjo do të ishte formulë për rikthimin e konflikteve etnike dhe destabilizimin e rajonit Pra, unë mendoj se ndryshimi i kufijve midis Kosovës dhe Serbisë nuk është përgjigje e shekullit 21.

Thomas Countryman

Edhe pse vazhdimi i dialogut midis dy vendeve shihet si i domosdoshëm, as Prishtina dhe as Beogradi nuk janë kthyer në tryezën e bisedimeve, A mundet të merret BE-ja e vetme me këtë problem kaq kompleks?

Nuk e di se si të dilet nga kjo bllokadë. Liderët e dyja vendeve po bëjnë më shumë deklarata publike duke parë në drejtim të zgjedhjeve të ardhshme dhe sfidave të brendshme dhe nuk janë të fokusuar në negocimin e çështjeve të vështira ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Së fundi udhëheqësit e Kosovës kanë deklaruar se e kanë humbur besimin tek Bashkimi Europian. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo situatë në proceset e ardhshme politike të Kosovës dhe rajonit?

E ardhmja e Kosovës është absolutisht brenda Bashkimit Evropian. Vetë BE-ja është institucion “frustrues” dhe për këtë mund t’i pyesni 52 përqind të votuesve britanikë (që votuan pro daljes së Britanisë nga BE-ja). Por megjithatë BE-ja ka arritur që të krijojë kushtet për paqe, siguri dhe tregtinë e lirë.

Mirëpo, Kosova duhet të ndërmarrë reforma që do ta bënin një vend me standarde demokratike, për respektimin e sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut. Kjo do ta bënte një anëtare të vlefshme të Bashkimit Europian. E di se është e vështirë, e di por kjo është rruga e vetme për të ardhmen e Kosovës.

Thomas Countryman

A mendoni se vendet e Ballkanit ende paraqesin një sfidë sigurie për Europën apo tashmë kanë arritur të konsolidohen si vende demokratike

Rreziku që disa liderë të Ballkanit paraqesin nuk ka të bëjë me NATO-n apo Europën por me sigurinë e vetë qytetarëve të tyre. Kjo ishte ajo që pamë në luftërat tragjike në vitet 90-të. Unë ende jam shumë i shqetësuar për rrezikun e konfliktit në Bosnjë, e cila dhe ka mundësi që do të mbetet vendi i fundit që do t’i bashkohet Bashkimit Europian. Unë ende jam i shqetësuar me mundësine e konfliktit atje.

Le të kalojmë pak jashtë kufijve. Ballkani Perendimor është bërë një terren testimi për Rusinë. Serbia, Republika Srpska, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë prekur nga këto politika. Ekzistojnë shumë opinione se Ballkani nuk është shumë i pranishëm në radarin e Uashingtonit. Kjo po shqetëson veçantësisht Brukselin i cili po paralajmëron se Pekini po i shndërron këto vende në “kalin e Trojës” pasinjë ditë do të bëhen vende anëtare të BE-së. Cili është vlerësimi juaj?

Mendoj se këtë periudhë Moska në përgjithësi ndjek një politikë përmes së cilës, kudo që ka mundësi, provon të destabilizojë vendet demokratike perendimore. Ndikimi i Rusisë në Ballkan ka qenë përtej financimit të partive siç ishte rasti në Malin e Zi tre vjet më parë.. Rusia ka derdhur shumë para për të penguar vendet e rajonit që të jenë demokratike. Kina është cështje tjetër. Interesi parësor i Kinës është ekonomik. Unë e kuptoj dëshirën e të gjitha shteteve në Ballkan për të parë investime nga jashtë. Ajo që më shqetëson nuk janë paratë në vetvete, por fakti që praktikat e të bërit biznes nga ana e Kinës, Rusisë dhe Turqisë janë më shumë të korruptuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë