Shqipëria nisi sot procesin e vaksinimit. E para që kreu vaksinën në vendin tonë ishte, Shefja e Shërbimit të Spitalit Infektiv (Covid 1), Najada Çomo.
Mjekja pas vaksinimit u pajis me një kartë që tregon datën kur është bërë doza e parë e vaksinës. Vaksina është e ndarë në dy doza dhe mjekja duhet të marrë dozën e dytë pas 21 ditësh.
I dyti në radhë që u vaksinua ishte kryeministri Edi Rama, i cili më herët në një konferencë shtypi shpjegoi se duhet ta bënte vaksinën njësoj si kolegët e tij nëpër botë, "për të mposhtur çdo aludim mbi vaksinën".
Ndërkaq, ai ftoi mjekun Pëllumb Pipero i cili është ndër radhët e mjekëve që do të vaksinohen të parët, e më pas u vaksinua mjeku Tritan Kalo. Pas tij, ishin Drejtoresha e ISHP dhe epidemiologë e mjekë të tjerë.
Më herët gjatë ditës, për më shumë se një orë, kryeministri Edi Rama, i shoqëruar edhe nga Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se sasia e parë e vaksinës ishte dhuratë si pasojë e negociatave dhe bujarisë së një vendi të BE-së, por pa e përmendur emrin për cështje konfidencialiteti.
“Vendi që na ka dhënë vaksinat ka kërkuar konfidencialitet...”, tha Rama disa herë teksa është pyetur nga media nëse ky vend është Greqia.
“Si tua shpjegoj këtë unë. Sigurisht që në një ditë të caktuar, shpresoj që unë ta them dhe ta falënderoj atë vend para gjithë shqiptarëve.
Por ka kërkuar konfidencialitet. Këtë e kërkojnë të gjitha vendet. Edhe tre vendet e tjera me të cilat jemi afër kanë kërkuar konfidencialitet. Pse? Për një arsye të thjeshte.
Nëse një vend e bën këtë për Shqipërinë, nuk dëshiron që 10 vende të tjera ti thonë bëjë dhe për ne. E bënë për Shqipërinë. Pse e bënë për Shqipërinë? Nuk më takon mua ta them, por një nga arsyet është se ‘keni Edi Ramën kryeministër’”
Sot fillon procesi i vaksinimit me mjeket e vijës së parë, si Najada Como, Tritan Kalo, Pëllumb Pipero. Në orën 15.oo të mbasdites do të vaksinohet edhe kryeministri Edi Rama, për të shuar të gjithë paragjykimet dhe konspiracionet që kanë shoqëruar procesin e vaksinimit.
Shifra me të cilin Shqipëria nis vaksinimin është 975. Priten ditët në vijim edhe 2 mijë doza të tjera, nga i njëjti vend mik i BE-së.
Vaksina tha kreu i qeverisë nuk do të jetë e detyrueshme, por e rekomandueshme.
“Vaksina nuk është e detyrueshme, kështu që nuk ka se çfarë pasoja të ketë. Vaksina është jo me detyrim. Gjithkush vendos vetë. Dëshiron ta bëjë apo nuk dëshiron ta bëjë. Është shumë e këshillueshme, është arma asgjësuese. Të tjerat janë armë mbrojtëse”, u shpreh Rama.
Kryeministri Rama tha gjithashtu se çmimi i vaksinës është i njëjtë për të gjithë.
“Qëllimi ynë është që të rrisim kapacitetin vaksinues duke rritur prurjet e vaksinës Pfizerr dhe me shpresë duke hapur edhe rrugën për AstraZeneca.
Ky është një funksion krejt normal dhe këtë nuk e bëjmë vetëm ne, por e bëjnë të gjitha vendet”.
Rama tha se të mërkurën do të bëhen publike pamjet si ruhet vaksina.
“Pasnesër do të bëjmë publik me pamje vendin, mënyrën e ruajtjes, të gjithë procesin në mënyrë që të jemi transparent. Nga ana tjetër për të treguar se gjithçka është e mirëpërgatitur.
Ne nuk jemi as më të pasur as më të zotët, por në këtë luftë që nga dita e parë nuk jemi prapa askujt. Për këtë jemi krenarë”,
Vaksinimi fillon me stafin mjekësor. Më tej do të vijohet më të moshuarit mbi 75 vjec.
Manastirliu shpjegoi se vaksinimi është menduar të bëhet në ambientet e stadiumit "Air Albania" në Tiranë fillimisht dhe më pas në qytete të tjera si Shkodër dhe Vlorë.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastiliu tha se janë 5 mijë punonjës të shëndetësisë që do të vaksinohen.
“Janë 5 mijë numri personeli kyç që vlerësohet të jetë prioritet i prioriteteve dhe që janë ata në frontin e parë, plus ata që shërbejnë në urgjenca.”
Ndërsa Kryeministri Rama nënvizoi se një pjesë e vaksinave do t'i dhurohet edhe spitalit infektiv në Prishtinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.