Filma

“Cirku Fluturues”, filmi më i mirë debutues në Festivalin gjerman

Filmi artistik “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha triumfoi në Gjermani.

Filmi i metrazhit të gjatë “Cirku Fluturues” u shpërblye, si filmi më i mirë debutues në festivalin e njohur gjerman “Cottbus Film Festival”. Ky është çmimi i radhës për këtë film të prodhuar nga kompania “B2” e producentes Vjosa Berisha, ndërsa ceremonia e festivalit “Cottbus” u mbajt online këtë vit për shkak të situatës me pandeminë.

Filmi “Cirku Fluturues” me regji nga Fatos Berisha shënoi premierën në Tiranë, në mbrëmjen e parë të edicionit të shtatë të festivalit të filmit “Dea open air” këtë vit.

Premierë në Tiranë, “Cirku Fluturues” u shfaq disa ditë pasi mori çmimin kryesor “Grand Jury Prix”, në festivalin e filmit “War on Screen IFF” në Chalons-en-Champagne, që u zhvillua në Francë.

https://youtu.be/dM6-8wFqUgs

Filmi “Cirku Fluturues” është një komedi e zezë që rrëfen aventurat e rrezikshme të katër aktorëve të rinj nga teatri “Dodona”  të Prishtinës që kalojnë ilegalisht kufirin nga Mali i Zi, për të marrë pjesë në një festival teatrosh në Tiranë.

Filmi është edhe një homazh për dy institucione të rëndësishme të kulturës shqiptare këtej dhe andej kufirit si Teatri Kombëtar dhe teatri “Dodona”.

Në këtë film me rolet e tyre paraqiten aktorët Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topic, ndërsa në rolet dytësore Luan Jaha, Shkumbin Istrefi, Armond Morina, Vedat Bajrami, Refet Abazi, Rita Gjeka, Romir Zalla, Fisnik Ademi, Rita Gjeka, Esela Pysqyli, Doresa Rexha, Maylinda Kasumovic, Krist Lleshi, etj.

Filmi “Cirku Fluturues”, me skenar dhe regji nga Fatos Berisha i zhvilloi xhirimet në 2018. Xhirimet e këtij projekti kinematografik që nisën në Kosovë u zhvendosën dhe në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë