Analize

Cilat vende na e kanë hequr dhe cilat ende jo traun e kufirit

Bashkimi Europian vendosi të hapë në mes të qershorit kufijtë për vizitorët shqiptarë, për t’i dhënë fund izolimit në të gjendej vendi ynë që nga fillimi i pandemisë në mars të vitit 2020. Rregullorja e Komisonit Europian përcaktonte se Shqipëria është në mesin e vendeve të sigurta, por edhe pse kanë kaluar dy javë, një sërë vendesh anëtare po  vazhdojnë të mbajnë kufijtë e mbyllur.

Sipas vendimit të Këshillit të Bashkimit Europian, të 27 shtetet anëtare duhet të heqin kufizimet për udhëtimet jo-thelbësore të qytetarëve shqiptarë drejt Bashkimit Europian gradualisht duke filluar nga 18 qershori. Por secili shtetet anëtar mbetet kompetent për të përcaktuar afatin, se kur do të heqë kufizimet me Shqipërinë. Pra, edhe në këtë rast, duhet konsultuar informacioni për shtetin anëtar ku dëshirojnë të udhëtojnë qytetarët shqiptarë.

Vendimi i BE u lë po ashtu dorë të lirë vendeve anëtare të zgjedhin se cilat certifikata do të pranojnë, cilat vaksina do të njohin dhe cfarë kufizimesh do të vendosin në kufi.  Një nga vendet fqinje që nuk i ka hapur ende kufijtë vizitorëve shqiptarë është Italia, e cila ka shkuar përtej pritshmërive, duke mbajtur ende në fuqi kufizimet për ndalimin e udhëtimeve jo-thelbësore. Ndërsa Shqipëria regjistroi 24 orët e fundit vetëm një të infektuar dhe asnjë të vdekur, Italia vijon të ketë dhjetëra raste të reja dhe viktima.

Po ashtu vendi fqinj nuk ka dhënë asnjë sinjal nëse do pranojë apo jo pa tampon shqiptarët e vaksinuar me vaksinat kineze.

Ndërohë që udhëtarëve që u lejohet të vizitojnë vendin fqinj, duhet të plotësojnë një formular në mënyrë elektronike dhe duhet ta paraqesin në sportelin e biletave.

Një tjetër vend drejt të cilit turistët shqiptarë nuk mund të udhëtojnë është Belgjika, e cila vazhdon të mbajë në kufi kufizimet. Po ashtu, kufijtë mbeten të mbyllur për vizitorët shqiptarë në vende si Danimarka, Suedia, Portugalia, Sllovenia, Zvicra, Republika Ceke dhe Sllovakia

Por ku mund të udhëtojnë shqiptarët?

Lajmi më i mirë për udhëtarët shqiparë ka ardhur të mërkurën nga Holanda dhe Austria, të cilat kanë  pothuajse kanë hapur plotësisht dyert për qytetarët shqiptarë. Austria ka vendosur heqjen e të gjitha kufizimeve anti-COVID për pasagjerët shqiptarë me pasaporta biometrike, duke filluar nga data 24 qershor. I vetmi detyrim, është që pasagjerët që udhëtojnë në Austri, duhet të kenë maskë anti-Covid.

Ndërkohë, ambasada shqiptare në Hagë njoftoi se duke filluar nga sot, edhe Holanda do të lejojë lëvizjen e lirë të të gjitha kategorive të shtetasve shqiptarë drejt territorit të saj.

Të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë drejt Holandës nuk kanë detyrimin të paraqesin testin PCR apo antigjen në destinacion. Gjithashtu nuk është e detyrueshme karantina për udhëtarët shqiptarë, pasi vendi ynë konsiderohet vend me rrezikshmëri të ulët infektimesh.

Në fakt vendi parë europian që ka hapur kufijtë për udhëtarët e vaksinuar shqiptarë ka qënë Bullgaria, e cila ka theksuar në një vendim zyrtar se do të njohë të gjitha vaksinat. Megjithatë, vizitorët e pavaksinuar do të duhet të paraqesin një test PCR. Një vendim i ngjashëm erdhi nga Rumania, e cila njeh të gjitha llojet e vaksinave.

Më pas, ajo që hapur kufijtë për udhëtarët nga shtetet jashtë Bashkimit Evropian dhe zonës Shengen ka qënë Spanja. Por ky vendim vlen vetëm udhëtarët që kanë vërtetim që i kanë bërë të dyja dozat e vaksinës për Covid-19, të paktën 14 ditë para hyrjes në vend. Vaksina duhet të jetë e miratuar nga EMA ose OBSH dhe rekomandohet që të jetë Pfizer-BioNTech, Moderna, AstraZeneca, Janssen, Sinopharm apo Sinovac-CoronaVac .

Foto nga takimi i fundit i Rames me Orban ne Hungari

Më pas, një vendim i ngjashëm u mor nga Hungaria falë një marrëveshje dy-palëshe të nënshkruar nga dy vendet. Shqiptarët e vaksinuar mund të shkojnë në Hungari dhe të kalojnë kufirin pa asnjë kufizim. Ambasada hungareze në Shqipëri ka njoftuar se shtetasit nga Hungaria mund të vijnë në Shqipëria dhe shqiptarët mund të shkojnë në Hungari, nëse janë të pajisur me certifikatën anti Covid.

Pas Hungarisë, lajmi i mirë erdhi nga Franca, e cila vendosi të lejojë hyrjen në territorin e saj të turistëve shqiptarë. Udhëtimi do të bëhet me me pasaportë biometrike, dhe kanë të drejtë të kalojnë kufirin ata që kanë bërë vaksinat Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson, si dhe janë të pajisur me test PCR.

Franca e konsideron Shqipërinë në listën e vendeve me rrezik të ulët infektimi. Për ata që nuk janë vaksinuar, masat kufizuese vazhdojnë të mbeten në fuqi. Qytetarët e pavaksinuar, duhet të udhëtojnë vetëm për arsye esenciale (për të shkuar të bashkëshorti/bashkëshortja, apo prindërit të udhëtojnë tek fëmijët me leje qëndrimi në Francë, e studentët për motive studimi).

Më pas, Ambasada Gjermane në Tiranë ka njoftuar për heqjen e kufizimeve të udhëtimeve hyrëse nga Shqipëria në Gjermani. Udhëtarët shqiptarë mund të kalojnë në Gjermani edhe për arsye turistike, por për të kaluar, duhet të dëshmojnë se janë vaksinuar me një vaksinat e njohura nga EMA (Pfizer, Moderna, AstraZeneca), që kanë kaluar më parë COVID-19 ose janë aktualisht negativë.

Për pasaportat biometrike kërkohen dy dozat e vaksinave të aprovuara nga EMA, apo një dozë e Johnson & Johnson. Udhëtarët që hynë në Gjermani në rrugë ajrore, duhet të bëjnë testin për COVID-19 përpara nisjes së fluturimit.

Udhëtarët që kanë një dokument që konfirmon shërimin apo vaksinimin plotësisht me një prej vaksinave të njohura nga EMA, nuk është e nevojshme të paraqesin një test negativ në momentin e fluturimit nga Shqipëria në Gjermani.

Vendimi më i shumëpritur ka qënë i ai i Greqisë. Qytetarët e Shqipërisë mund të udhëtojnë tashmë drejt Greqisë duke filluar nga 19 qershori, pasi vendi fqinj ka hapur kufijtë për herë të parë që nga fillimi i pandemisë. Në Greqi do të lejohet të kalojnë të gjitha kategoritë e udhëtarëve nga Shqipëria, si për qëllime familjare ashtu dhe turistike. Ministria e Jashtme njofton se udhëtarët shqiptarë do të duhet të kenë me vete:

Udhëtarët do të duhet të kenë me vete:

  • Formularin e Lokalizimit të Pasagjerëve (i detyrueshëm për të gjithë, nga të gjitha pikat kufitare, tokësore ose ajrore.
  • Certifikatë vaksinimi, test PCR ose Rapid.
  • Ose certifikatë e diagnozës pozitive (e vlefshme për 2 deri në 9 muaj)

Fëmijët mbi 12-vjeç do të kenë të njëjtat kritere si të rriturit. Pavarësisht kësaj, në pikat kufitare do të vijojnë të kryhen teste të rastësishme nga autoritetet përkatëse. Më 14 qershor Greqia ka vendosur të njohë të gjitha vaksinat, edhe nëse nuk janë miratuar nga Agjencia Evropiane e Barnave. Kjo do të thotë se këtë verë shqiptarët e vaksinuar me vaksinën kineze Sinovac apo të ruse Sputnik V do të mund të udhëtojnë drejt vendi fqinj pa test PCR. Vaksinat që do të pranohen janë Novavax, Sinovac Biotech, Sputnik V, Sinopharm dhe CanSino Biologics.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë