Sociale

Ende nuk ka një listë të qartë të shkollave të dëmtuara në Tiranë

As Ministria e Arsimit dhe as Bashkia e Tiranës nuk japin një listë me emrat e shkollave të kryeqytetit të dëmtuara rëndë, ose pjesërisht nga tërmeti i 26 nëntorit, duke lënë në ankth prindërit e fëmijëve që pritet t’i rikthehen shkollës më 9 dhjetor.

Në deklaratën për shtyp, Ministrja e Arsimit Besa Shahini, bëri me dije datat se kur do të nisë mësimi për qarqet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit. E pyetur nga Gazeta “Si” se nëse janë inspektuar të gjitha shkollat, Shahini u përgjigj pozitivisht, duke përfshirë këtu edhe çerdhet dhe kopshtet. Gjithashtu ajo tha se do të bëhet edhe një rivlerësim  i subjekteve arsimore edhe në datat 7 dhe 8 për të qenë më të sigurt. Përpos kësaj deklarate as Ministria e Arsimit dhe as Bashkia e Tiranës, që është një nga qarqet më të prekura dhe është vendosur që do të shtyhet mësimi deri në datën 9 dhjetor, nuk kanë një listë të plotë për të gjitha shkollat e dëmtuara.

Ministra shtoi se janë  evidentuar rreth 4800  nxënës të prekur nga tërmeti, ku 450 prej tyre  janë sistemuar nëpër të afërm dhe kanë nisur mësimin në shkolla pritëse. Gjithashtu ajo përcaktoi se janë edhe 650 mësues që janë prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas Ministres,  në Lezhë është dëmtuar vetëm shkolla “ Shën Kollit”, ku për nxënësit është vënë në dispozicion transporti në një shkollë tjetër. Në Kamzë është dëmtuar një shkollë, në Kavajë  janë dëmtuar 2 shkolla për të cilat do të sigurohet gjithashtu transporti i nxënësve në një shkollë tjetër, në Vorë është dëmtuar shkolla “Marikaj”, nxënësit ee të cilës do të transferohen në Marqinet. Ndërsa në zonën e Pezës, të gjitha shkollat janë jashtë funksionit. Për sa i përket shkollave private, Ministrja Shahini bëri me dije se kopshtet dhe shkollat private  duhet të marrin një konfirmim nga Instituti i Ndërtimit, nëse janë të gatshme për ë rifilluar mësimin.

Duke përcaktuar se  9 qarqe nuk janë përfshirë në gjendjen emergjente dhe mësimi ka vijuar normalisht në datën 2 dhjetor, mësuesit janë përgatitur për të zbatuar një plan për mbrojtjen e nxënësve dhe daljet emergjente, gjithashtu edhe të përballojnë këto ngjarje pa panik.  Ministra Shahini  deklaroi se për nxënësit dhe mësuesit do të ketë një shërbim psikosocial, ku përveç psikologëve të shkollave, ka pasur edhe një sërë vullnetarësh që kanë dashur të jenë pjesë e sistemit për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti. Ndër të tjera, në konferencë u bë me dije se në hotelet ku janë sistemuar qytetaret do të ndërtohen shkollat e përkohshme, ku do të nisë mësimi në datën 9 dhjetor.   Ndërsa, për Ditën e Rinisë në 8 Dhjetor, ministrja u shpreh se do të festohet nga kush të dojë dhe data 9 nuk do të jetë pushim pasi  janë humbur shumë orë mësimore.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë