Ka ndodhur

Çifti me dy fëmijët kapet në Rinas, arrestohet 35-vjeçari që u mori 25 mijë euro për t’i pajisur me pasaporta false spanjolle

Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 35-vjeçar, pasi ndihmonte emigrantët për kalim të paligjshëm të kufirit kundrejt fitimit.

Në sajë të operacionit policor “Last Trip”, policia thotë se është vënë në pranga 35-vjeçari Neard Myftari si dhe u proceduan shtetasit me inicialet K. M., 41 vjeç dhe S. A., 31 vjeçe.

Nga hetimet ka rezultuar se i riu në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë kundrejt shumës rreth 25.000 euro dyshohet se ka pajisur me pasaporta të falsifikuara spanjolle shtetasit K. M dhe S. A, dhe dy fëmijët e tyre të mitur me qëllim udhëtimin e tyre drejt Gjermanisë.

Policia thotë se shtetasit K. M dhe S. A, kanë tentuar dy herë të kalojnë nëpërmjet aeroportit të Rinasit, por si rezultat i forcimit të masave të kontrollit në këtë aeroport nuk kanë mundur dot të largohen.

Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit”, dhe “Falsifikimit të letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë