Gazeta Si – Në ‘Olimpico’ italianët rezistojnë gjatë pjesës së parë, falë pasaktësisë së bavarezëve. Në të dytën Lacio bën goditjen, duke shënuar golin e fitores nga pika e bardhë, pas penalltisë së shkaktuar nga Upamekano, i ndëshkuar edhe me karton të kuq.
Lacio fiton aktin e parë ndaj Bajernit, duke thyer parashikimet në Champions. Skuadra e trajnerit Sarri mposhti 1-0 bavarezët, ndërsa kualifikimi do të vendoset më 5 mars, në ‘Allianz Arena’.

Gjatë pjesës së parë gjermanët krijuan mundësitë më të mira, por nuk patën shënjestër me Kejn dhe Musiala, ndaj dhe rezultati mbeti 0-0. Në pjesën e dytë, pas një kundërsulmi të Lacios me protagonist Imobilen, Upamekano ndërhyri ashpër me taka ndaj Isaksen në zonë, duke e lënë Bajernin me 10 vetë dhe duke u dhuruar një penallti italianëve.
Imobile nuk gaboi dhe shënoi golin vendimtar. Lacio pati edhe dy raste të tjera më pas me Felipe Anderson dhe Pedro, por nuk mundi ta dyfishonte rezultatin. Bajerni krijoi vetëm volum loje, ndërsa lëvizjet e Tuhel nuk sollën rezultat. Pas humbjes në kampionat, gjermanët humbasin edhe në Champions.
Elseid Hysaj, mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, e nisi titullar këtë ndeshje. Ai bëri një paraqitje të mirë për një orë lojë, sepse në minutën e 60-të u ndërrua për shkak dëmtimi. Mbrojtësi kuqezi mori një goditje dhe nuk mundi ta vazhdonte më lojën.
PSG në ndeshjen tjetër mundi 2-0 Real Sociedadin, duke hedhur një hap të sigurt drejt kalimit në çerekfinale. Kilian Mbape dhe Barkola shënuan për parisienët në pjesën e dytë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




