Futboll

Champions/ Interi pret Atletikon sot në mbrëmje, Inzagi në provën e mikut Simeone

Gazeta Si – Championsi kthehet sot në mbrëmje me dy ndeshje të tjera të fazës së 1/8-ve. Interi pret Atletikon e Madridit, kurse ndeshja tjetër është ajo mes PSV Eindhoven dhe Borusia Dortmund.

Natyrisht që e gjithë vëmendja është te sfida e Milanos, ku Interi, një nga skuadrat më në formë të Europës, pret Atletikon e Madridit, gjithmonë një ‘kockë e fortë’ në kompeticionin e më të mirëve të kontinentit. Me titullin thuajse të sigurt, zikaltrit do të japin gjithçka sot në mbrëmje për të hedhur një hap drejt kualifikimit.

Është një sfidë mes dy miqsh në stol, Simone Inzagit dhe Diego Pablo Simeones, të cilët kanë luajtur bashkë te Lacio. Një provë force për Interin në fakt, edhe pse Atletiko nuk është ai i viteve të fundit. Spanjollët luajnë një futboll shumë fizik, solid dhe janë të vështirë për t’u mundur.

Alvaro Morata ka pasur një dëmtim, por Simeone e ka grumbulluar për sfidën e sotme. Në anën tjetër, Interi zbret me formacionin e tij tip, me dy lojtarët e krahëve, Dimarko dhe Darmian që u kursyen në kampionat. Në mbrojtje luajnë De Vrij, Pavard dhe Bastoni. Shpresat janë te dyshja e sulmit, Lautaro Martinez-Turam, që në kampionat po bën shumë mirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë