Ngjarje

Çfarë po ndodh në SHBA? 97 mijë fëmijë të infektuar, vetëm dy javët e fundit

Ndërsa shkollat ​​në SHBA po përballen me sfidën e rihapjes, një studim i fundit zbulon se të paktën 97,000 fëmijë janë infektuar kohët e fundit me Covid-19.

E referon New York Times kur shkruan se, ky numër i lartë i përket dy javëve të fundit të  korrikut, sipas një raporti të ri të Akademisë Amerikane të Pediatrisë dhe Shoqatës të Spitalit të Fëmijëve.

Në këtë raport thuhet se që nga fillimi i pandemisë e deri më 30 korrik, të paktën 338,000 fëmijë ishin testuar pozitiv, që do të thotë se më shumë se një e katërta e fëmijëve të infektuar kanë rezultuar të tillë vetëm dy javët e fundit.

7 nga 10 raste raportohen nga shtetet jugore dhe perëndimore. Misuri, Oklahoma, Alaska, Nevada, Idaho dhe Montana radhiten si shtetet me rritjen më të lartë të infeksioneve të fëmijëve gjatë kësaj periudhe.

New York Times vëren se shifrat e infektimit mund të jenë më të larta sa kohë që  raporti nuk përfshin të dhëna të plota nga Texas dhe disa pjesë të shtetit të Neë York-ut.

Raporti vjen pas një tjetër studimi të realizuar në Çikago ku thuhej se fëmijët e infektuar mbajnë po aq virus në hundën dhe fytin e tyre, sa edhe të rriturit.

Megjithatë, debati mbetet ende i hapur sa kohë që disa studime të tjera referojnë se fëmijët nën 10 vjeç, kanë më pak mundësi të  përhapin virusin te të tjerët.

Por ajo që është e sigurt deri më tash është rritja me shpejtësi e numrit të infektimeve tek fëmijët, pa specifikuar arsyet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë