Ngjarje

Çfarë pa për herë të fundit Cassini?

Një vit më parë, NASA vendosi të “hedhë në erë” 4 miliardë dollarë, duke orientuar sondën Cassini në një mision “vetëvrasës” në atmosferën e Saturnit.

Atëherë përplasja u mendua si zgjidhja më e mirë për të mos e humbur përfundimisht sondën pa përfituar asgjë në këmbim. Shkencëtarët e NASA-s thanë se Cassini-t po i mbaronte karburanti dhe se përplasja ishte misioni i fundit i objektit që revolucionarizoi mënyrën si e shohim hapësirën përgjatë 13 viteve endjeje në të.

Objektivi ishte kapja e imazheve nga afër të atmosferës së Saturnit dhe sipas agjencisë hapësinore amerikane, ky objektiv u arrit.

NASA publikoi së fundmi një imazh të ripërpunuar të të dhënave që ka dërguar në Tokë sonda, para se ajo të shkrihej në atmosferën e Saturnit. Imazhi mbresëlënës është publikuar në faqen zyrtare të agjencisë hapësinore amerikane dhe prej andej është shpërndarë me shpejtësi në internet.

Shtatorin e vitit të kaluar Cassini hyri në atmosferën e planetit të unazave me një shpejtësi marramendëse, por rezistoi për një minutë, përpara se të bëhej copash. Shkencëtarët shpresonin që të mblidhnin informacione mbi përbërjen kimike të gazeve të Saturnit përpara se sonda të humbiste kontaktet me Tokën.

Përmes kësaj metode, NASA vendosi t’i japë fund historisë së sondës, që përcolli gjatë një dekade në hapësire të dhëna të vyera mbi hënat e Saturnit, përfshirë ato të elementëve për ekzistencën e jetës.

“Në fazën e dizenjimit nuk e kishim idenë se ekzistojnë botë me oqeane në sistemin tonë Diellor. Këto botë me oqeane mund të nënkuptojnë se ka jetë”, pohon inxhinierja e sistemeve, Morgan Cable.

Një zbulim i papritur erdhi nga caku jugor i “Enceladus”, një prej hënave që rrotullohen përgjatë unazave të Saturnit. Aty duket se ka një oqean të lëngshëm nëntokë, që herë pas herë e çan sipërfaqen dhe shpërthen mbi të.

Pajisjet e “Cassini”-t mundën të regjistrojnë gazin që dilte nga të çarat. Ekspertët tani e dinë se ka kripëra në atë vend, e kjo ka rëndësi për zhvillimin e jetës, së cilës i duhen minerale dhe kripëra për të ekzistuar.

Sonda arriti gjithashtu të dërgonte prova se thellë në këtë oqean ekzistojnë rryma hidrotermale. Në planetin tonë, aty ku ka rryma të forta të tilla, gjenden edhe komunitete të populluara me organizma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë