I ndodhur në presionin e vazhdueshëm të një grupi të konsiderueshëm deputetësh kryesisht të promovuar nga ai vetë, dhe pas një rezultati katastrofik për PD-në duke u renditur forcë e tretë politike në zgjedhjet e 6 marsit, Lulzim Basha dha dorëheqjen.
Lulzim Basha nuk e përmendi 6 marsin, por vetëm 25 prillin, aty ku ai dhe Berisha janë bashkëpërgjegjës për humbjen.
Lulzim Basha nuk pranoi gjithashtu përgjegjësi të deritashme të humbjes së zgjedhjeve nga PD-ja, por tha se nuk pati sukses në bashkimin e PD-së.
Po për ironinë e fatit, ai tha se do të qëndrojë në PD për të punuar për bashkimin e saj.
Basha la të kuptojë se dorëheqja e tij ishte e revokueshme, dhe nuk tha asnjë fjalë se cfarë do të bëjë me grupin tjetër realitetin e dukshëm që përfaqësohet nga Sali Berisha.
Basha u tregua evaziv kur tha se koha do ta tregonte se ai kishte të drejtë, por për cfarë?
Foli kryesisht me nënkuptime, la gjëra të paqarta për rolin që ai do të ketë në procesin e zgjedhjeve në parti, (që për të fillon me ripërtëritjen e më pas zgjedhje nga baza në qendër) dhe lëshoi një fjali në fund se PD i mbetet vlerave kombëtare, qytetare dhe Euro-Atlantike, që për Bashën te paktën deri tani ka nënkuptuar një parti pa Berishën.
Në gjithë fjalimin e tij jo fort të gjatë u kuptua vetëm një lëvizje që ai e tha po vetë, se ka vendosur të bëjë një hap pas. Asgjë më shumë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.