Shendet

Çfarë na sjell mos pranimi i vaksinës?

Procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm për sa i përket imunzimit të popullatës nga Covid-19. Prej 3 ditësh ka nisur procesi i vaksinimit edhe në Shqipëri. Në daljen publike, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, shpjeguan se vaksina nuk do të jetë e detyrueshme, ndërkohë njerëzit janë skeptik për sa i përket pranimit të saj.
Por çfarë do të thotë kjo për imunizimin e një popullate?
Sipas një analize të ekspertit të shëndetit Laidon Shapo në Britani, përqindja e popullatës që nuk do të vaksinohet ka një rëndësi të madhe. Eksperti i cili aktualisht është pjesë e Shërbimit Kombëtar të Britanisë, shpjegon se nëse popullata që nuk do të bëjë vaksinën arrin në shifrën 40%, atëherë ky do të jetë një problem shumë i madh për të arritur imunitetin e tufës dhe si rrjedhojë për t’iu rikthyer jetës normale. Në statusin e tij në rrjetin social “Facebook”, Shapo shkruan se është tepër e rëndësishme që të kryhet një studim mbi këtë çështje për të ditur gjendjen.

Ndërkaq në një vëzhgim të fundit të Gazetës “Si” në Tiranë, u vu re se një pjesë e qytetarëve nuk e kanë mirëpritur vaksinën. Disa prej tyre nuk besonin fare tek vaksina dhe madje as tek mjekët. Edhe sipas një sondazhi të shkurtër që Gazeta "Si" kreu në rrjetet sociale, pjesa më e madhe e qytetarëve kishin votuar opsionin se nuk besonin tek vaksina. Shumë njerëz të tjerë ishin të lëkundur dhe ishin në mëdyshje për transparencën dhe efikasitetin e vaksinës, ku shprehën mendime nga më të ndryshmet, që nga “vaksina mund të ketë ndonjë çip” e deri tek pjesa se “njerëzit e thjeshtë nuk do të marrin vaksinën që marrin mjekët dhe kryeministri”.


Ndërkaq eksperti Shapo ka publikuar dhe një raport të përpiluar mbi studime që janë kryer në 33 vende të ndryshme se çfarë ndodh nëse njerëzit duan ta bëjnë vaksinën.
“Shkalla e ulët e pranimit të vaksinave COVID-19 u raportua në Lindjen e Mesme, Rusi, Afrikë dhe disa vende evropiane. Ky mund të përfaqësojë një problem të madh në përpjekjet globale që synojnë të kontrollojnë pandeminë aktuale COVID-19. Rekomandohen më shumë studime për të adresuar fushën e hezitimit të vaksinave ndaj COVID-19. Studime të tilla janë veçanërisht të nevojshme në Afrikën e Lindjes së Mesme, Evropën Lindore, Azinë Qendrore, Amerikën e Mesme dhe Latine,” shkruhet më tej në raport.

Gjithashtu, përcaktohen edhe shtetet të cilat kanë kryer një studim në total për qasjen e njerëzve ndaj vaksinave.
Në raport thuhet se nivelet më të larta të pranimit të vaksinave COVID-19 u gjetën në Ekuador (97.0%), Malajzi (94.3%), Indonezi (93.3%) dhe Kinë (91.3%). Nga ana tjetër, nivelet më të ulëta të pranimit të vaksinave COVID-19 u gjetën në Kuvajt (23.6%), Jordan (28.4%), Itali (53.7), Rusi (54.9%), Poloni (56.3%), SH.B.A. (56.9%) , dhe Franca (58.9%). Raporti përcakton gjithashtu se janë gjetur, vetëm tetë sondazhe midis punonjësve të kujdesit shëndetësor (mjekë, infermierë), me norma të pranimit të vaksinave që varionin nga 27.7% në Republikën Demokratike të Kongos në 78.1% në Izrael. Në një shumicë të studimeve të sondazhit në mesin e publikut të gjerë, pranimi i vaksinimit COVID-19 tregoi një nivel prej 70%.
Arsyet për mospranimin e vaksinës janë të ndryshme edhe në shtetet e huaja. Ka nj sërë raportesh që tregojnë se popullata të ndryshme hedhin dyshime mbi efikasitetin e vaksinës Pfizer, për kohën e shkurtër që ajo u zhvillua.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë