Treg

Çfarë humbasim nga sanksionet ndaj Rusisë?!…

Sabina Veizaj, Xhuliana Toçi - Vendim impulsiv, në mungesë logjike ekonomike apo çfarëdo qoftë tjetër, dihet që Shqipëria prej 2014-ës ka humbur një treg të rëndësishëm ku eksportonte prodhimet bujqësore si pasojë e bërjes bashkë me vendimin e Këshillit Europian për vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Katër vjet pas sanksioneve të para ndaj Rusisë, qeveria shqiptare ka vendosur të shtyjë deri në janar të vitit të ardhshëm masat kufizuese kundër Moskës. Sipas një deklaratë të Këshillit Europian, Tirana dhe Podgorica kanë shtyrë sanksionet ndaj Rusisë, duke u zotuar të jenë në një vijë politike me Bashkimin Europian kundër Federatës Ruse. Vendimi vjen pak pasi sanksionet e reja të SHBA-së hynë zyrtarisht në fuqi, duke e lënë Moskën më të izoluar se kurrë nga pjesa tjetër e botës. Ndërkohë që analistët perëndimorë janë duke analizuar efektet e sanksioneve ndaj Moskës, Mali i Zi dhe Shqipëria duket se kanë ndërhyrë sërish në skenën ndërkombëtare, për t’u rreshtuar krah vendeve europiane.

"Vendet kandidate Mali i Zi dhe Shqipëria, dhe Norvegjia, anëtare e Zonës Ekonomike Evropiane, si dhe Ukraina, kanë rënë dakord për shtyrjen e sanksioneve ndaj Rusisë - thuhet në deklaratën e Këshillit Europian - Nga ana e saj, BE-ja merr parasysh dhe e mirëpret këtë angazhim.”

Vendimi i qeverisë shqiptare duket se erdhi në përgjigje të masës së BE-së për të zgjatur sanksionet kundër Federatës Ruse, për shkak të helmimit të një ish-agjenti rus në tokën britanike. Ndoshta ky vendim vjen si pjesë e strategjisë së politikës së jashtme të qeverisë shqiptare për të rritur peshën e vendit tonë në arenën ndërkombëtare, por çfarë pasojash do të kenë sanksionet në tregun shqiptar? Si është rreshtuar disa herë Shqipëria krah Perëndimit dhe pse ka dalë kundër qeverise ruse?

Shqipëria “kundër” Rusisë

Foto ilustruese

Shqipëria ka vendosur për herë të parë sanksione kundër Rusisë në vitin 2014, kur iu bashkua “hakmarrjes” së Perëndimit për aneksimin e Krimesë. Në këto sanksione u përfshinë pezullimet e udhëtimeve dhe ngrirja e llogarive bankare për një numër të caktuar zyrtarësh rusë. Në kundërpërgjigje, Presidenti Putin mori po të njëjtat masa reciproke duke vendosur sanksioneve ndaj disa vendeve, mes tyre edhe Shqipëria. Prej tre vitesh Rusia ka ndaluar importin e disa mallrave nga SHBA, BE, Australia, Kanadaja, Shqipëria, Mali i Zi, Islanda, Lihtenshtajni dhe Ukraina. Lista e produkteve që janë vendosur në embargo nga Rusia janë; mishi, qumështi, peshku, perimet, etj. Këto sanksione ndaj vendit tonë nuk ka  gjasa të marrin fund brenda këtij viti, pasi Presidenti rus, Vladimir Putin, ka firmosur më 13 korrik zgjatjen e tyre deri në fund të vitit 2019.

Çështja e përfshirjes së Shqipërisë në lojën e gjeopolitikës globale, është vënë në diskutim nga shumë studiues ndërkombëtarë, për faktin sepse Shqipëria është një vend i vogël dhe roli i saj në diplomacinë globale është i papërfillshëm. Por kjo nuk e ndaloi vendin tonë t’i bashkohej pak muaj më parë një tjetër nisme të madhe të Perëndimit kundër Rusisë. Dy diplomatë rusë u përzunë nga Shqipëria, pasi vendi ynë u bë pjesë e një përgjigjeje të koordinuar ndaj helmimit me gaz nervor të një ish-oficerit rus në Mbretërinë e Bashkuar më 4 mars. Në një njoftim shtypi, Ministria e Jashtme tha se Ministri Ditmir Bushati ia komunikoi urdhrin e përzënies Ambasadorit të Rusisë në Shqipëri Aleksandër Karpushin. Sipas të dhënave të protokollit të shtetit, Ambasada e Rusisë në Tiranë ka një staf diplomatik të akredituar prej 28 zyrtarësh dhe familjarësh të tyre, të cilët kanë qenë aktiv publikisht gjatë viteve të fundit duke kritikuar “disinformimet dhe gënjeshtrat” kundër Rusisë. Bashkë me Shqipërinë, në përzënien e diplomatëve rusë u bashkuan edhe Kroacia e Rumania, por jo Mali i Zi apo Maqedonia.

Aleksander Karpushin, amabsadori i Rusisë në Tiranë

Në një intervistë të dhënë vitin e kaluar, Ambasadori rus në Tiranë, Aleksandër Karpushin, deklaroi se përfshirja e Shqipërisë në vendet që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë po dëmton marrëdhëniet ekonomike dhe politike mes Tiranës dhe Moskës. Karpushin i sugjeronte Shqipërisë që të ndjekë të njëjtën rrugë si Serbia, Maqedonia dhe Turqia, të cilat bashkëpunojnë me Rusinë pa dëmtuar aspiratat europiane. “Fqinjët e Shqipërisë, si Maqedonia dhe Serbia, dhe krahas tyre edhe Turqia, demonstrojnë qartë se bashkëpunimi i qëndrueshëm dhe dinamik me Rusinë është i mundur dhe aspak nuk bie në kundërshtim me aspiratat evropiane”,- shprehej Karpushin.

Ekspertët ndeshen

Alban Zusi nga Qendra e Eksporteve Shqiptare dhe Nikolin Jaka nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, bashkohen me mendimin se nga sanksionet ndaj Rusisë nuk kemi asnjë përfitim, por humbje, por ata ndahen në argumentet që japin sepse Shqipëria ka vendosur të jetë "lepe-peqe" ndaj vendimit të Këshillit të Europës.

Alban Zusi, Qendra e Eksporteve Shqiptare

“Humbja është se tregu rus është një treg shumë i mirë për  produktet tona bujqësore, por natyrshëm ne kemi orientim gjeostrategjik me Europën. Gjithsesi marrëdhëniet tona po të duam të bëjmë një bilanc ne kemi marrëdhënie tregtare shumë më shumë me Europën se sa me Rusinë. Nëse duhet të vendosemi përpara një zgjedhjeje, ne zgjedhim Europën. Natyrshëm ekonomikisht jemi më të lidhur me Europën, vetëm nga produktet industriale, industria e lehtë, tekstile jemi 500 mln euro eksporte”, sqaron Zusi për Gazetën “Si”.

Nikolin Jaka duke e cilësuar si vendim të gabuar rreshtimin e Shqipërisë me BE-në për embargo ndaj Rusisë, argumenton se “ne nuk kemi konceptet bazë të logjikës së funksionimit të shtetit që ai nuk mund të bëhet pa ekonomi". "Ekonomia është gjeneratori i një vendi pastaj vijnë të tjerat. Ne kemi të parën politikën, qytetarët pastaj ekonominë. Po zvogëlojmë tregun, konsumatorin çdo ditë”, thotë Jakaj

Nikolin Jaka, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë

Duke i shkuar argumentit në thelb, Jakaj sqaron se “ne vumë sankionet Rusisë, ato që vuri Europa, por ne nuk kishim marrëdhënie tregtare me ato produkte që sanksionuam duke ndjekur Europën. As ata nuk binin këtu produktete që u goditën nga sanksionet që vumë ne. Nga ana tjetër në kundërpërgjigjen që bënë ata, u përgjigjën tek industria ushqimore, fruta, perime, produktet e bulmetit. Këtu e patëm goditjen. Sepse ne eksportonim në Rusi gjithë perimet.” Jakaj thotë se aktualisht produktet tona shkojnë në Rusi, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, por përmes shteteve të tjera. “Produktet tona kishin filluar të kishin popullaritet. Kam bërë dy forume në Rusi. Tek të dy forumet ata ishin shumë hatërmbetur, sepse problemi që ata identifikonin është se ata nuk kanë humbur produktet tona, ata i marrin përmes shteteve të tjera, përmes Maqedonisë dhe Serbisë, por çështja është tek rritja e çmimit si pasojë e embargos. Dhe tjetra që ata nuk kuptojnë është pse u detyruam ne të rreshtoheshim me këtë vendim kur shumë shtete në BE e rezerveuan të drejtën e vetë si psh Greqia, Kroacia, Italia, etj. Për shkak të biznesit, nuk e kuptuam pse morët këtë vendim.”-tregon Jakaj për Gazetën “Si”.

Marrëdhëniet tregtare aktuale me Rusinë

Aktualisht ne eksportojmë në tregun rus ushqim, pije duhan, energji elektrike, produkte kimike dhe plastike, prodhime druri dhe letre, tekstile dhe këpucë, materiale ndërtimi dhe metale, makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi.

Për vitin 2017 vlera e eksporteve e shprehur në lekë ishte 89, 473, 248 lekë. Një vit më parë vlera e këtyre eksporteve ka shënuar 60,909,396 lekë me një rritje prej 28,563,852 lekë.

Aktualisht ne importojmë në Rusi; ushqim, pije, duhan, etj

Prej gushtit 2014, Rusia ndaloi importimin e produkteve të mishit, peshkut, perimeve dhe bulmetrave nga vendet e Bashkimit Europian, Australia, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara dhe Novegjia si kundërpërgjigje për sanksionet e vendosura Rusisë nga këto vende për shkak të situatës në Ukrainë.

Ambasadori rus në Tiranë Aleksandër Karpushin në një intervistë të 2017-ës është shprehur se “Duhet t’ju përgjigjem troç që marrëdhëniet tona nuk mund t’i quaj mjaft të suksesshme. Në Shqipëri nuk ka kompani të mëdha ruse dhe i vetmi shembull i investimeve ruse që unë njoh është blerja e pasurisë së paluajtshme në bregdetin shqiptar, në Vlorë, Sarandë dhe zona të tjera. Por është një gjë pozitive që kohët e fundit është aktivizuar dialogu midis dhomave të tregtisë së dy vendeve.

Shumë tregëtarë në atë kohë panë mundësinë e tregjeve të tjera për eksportin e produkteve të tyre si Kroacinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Rumaninë, Çekinë dhe Hungarinë. Këtë verë delegacioni i Dhomës së Tregtisë së Tiranës i drejtuar nga kryetari i saj Nikolin Jaka vizitoi Rusinë, ku mbajti takime me kolegë nga Moska dhe Shën Petërburgu. Shpresoj që në vijim të këtij bashkëpunimi do të organizohet edhe një kthim vizite të biznesmenëve rusë në Shqipëri. Shkëmbime të tilla janë tepër të nevojshme, pasi na lejojnë të kapërcejmë stereotipet dhe gjatë kontakteve të drejtpërdrejta të gjejmë mundësi për punën e përbashkët, pa ndonjë politizim të këtij procesi.”

Sipas tij,  “gjendjen e tanishme të marrëdhënieve ekonomike dhe politike midis vendeve tona unë e vlerësoj pa entuziazëm të madh, ngaqë e shoh potencialin e tyre gjigant, i cili mbetet i pashfrytëzuar. Po bashkëpunojmë në mënyrë mjaft të suksesshme në sferat e kulturës dhe arsimit dhe unë mendoj që kjo mund të shërbente si themel, mbi të cilin duhet të ndertojmë raporte të qëndrueshme në të gjitha fushat e tjera. Ndoshta një ditë Tirana zyrtare do ta rivlerësojë qasjen e saj dhe nuk do ta konsiderojë më anëtarësimin e saj në NATO dhe perspektivën evropiane si pengesë për zgjerimin e lidhjeve me Rusinë. Po t’i analizojmë marrëdhëniet e Rusisë me vendet e tjera të Ballkanit, do të shohim që të gjitha ato ia kalojnë Shqipërisë për volumin e shkëmbimeve me vendin tonë. Të jemi të sinqertë, nuk më kujtohet asnjë shtet tjetër në Europë dhe jashtë saj, i cili do të mundohej kaq shumë të anashkalonte dhe të shmangte afrimin me Rusinë. Në këtë aspekt, Shqipëria me të vërtetë mbetet rast unik.”

Historia

Ambasada ruse në Tiranë

Në fillim të dhjetori 2014, agjencia ruse e lajmeve ITAR-TASS njoftoi se Rusia do të ndalojë importin e perimeve nga Shqipëria me pretendimin se ato vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, ndërkohë që Rusia që prej gushtit të 2014 ka bllokuar importin nga këto vende duke vendosur embargo bujqësore. Sipas ITAR-TASS, Agjencia Federale Ruse e Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare ka vendosur të ndalojë importimin e perimeve nga Shqipëria nga data 8 dhjetor.

Kreu i Agjencisë Ruse të Mbikqyrjes Veterinare dhe Fitosanitare Sergej Dankvert deklaroi në atë kohë se vendimi u mor pas këshillimit dhe bashkëpunimit me palën shqiptare. Sipas tij, përmes nje hetimi u zbulua një rast, ku një kompani shqiptare lëshonte çertifikata fitosanitare false, të cilat i printonte në një shtypshkronjë në Çeki. Zoti Dankvert tha se këto produkte të vendeve të BE-së kalonin pa u kuptuar në doganën Bjelloruse për t’u eksportuar në Rusi si produkte shqiptare për t’i shpëtuar embargos.

Vendimi

Kryeministri i Rusisë Dmitry Medvedev ka deklaruar se Rusia do të zgjerojë listën e vendeve që janë subjekt i embargos. Medvedev tha se kjo listë përfshin edhe vende që më parë nuk ishin mbështetëse të sanksioneve evropiane ndaj Rusisë e si pasojë nuk ishin pjesë e kundërpërgjigjes nga ana e Rusisë.

Edhe pse Medvedev nuk ka përmendur emra vendesh, agjecia ruse e lajmeve Itar-Tass përmend faktin se në fund të korrikut shtatë vende të Evropës; Mali i Zi, Shqipëria, Islanda, Norvegjia, Litenshtajni, Ukrahina dhe Gjeorgjia i rikonfirmuan Këshillit Europian se do t’i bashkoheshin zgjatjes së periudhës së sanksioneve ndaj Rusisë deri në 23 Qershor 2016. Shqipëria dhe Mali i Zi janë vende kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa vendet e tjera janë pjesë e zonës evropiane të tregëtisë së lirë. Gjashtë nga këto vende, përjashtuar Gjeorgjinë i janë bashkuar gjithashtu vendimit të BE-së për t’i zgjatur këto sanksione ndaj Rusisë, deri në 31 Janar, 2016.

Sanksionet e reja ndaj Rusisë

Vladimir Putin & Donald Trump

Administrata e Presidentit Donald Trump ka vendosur një sërë sanksione të reja kundër Rusisë në përgjigje të helmimit të ish-spiunit rus dhe vajzës së tij. Sipas rregullave të reja, kompanitë amerikane nuk të mund të eksportojë në Rusi produkte që mund të vënë në kërcënim sigurinë kombëtare. Gama e produkteve përfshin motorët me turbinë ose gaz, pajisjet e testimit dhe pajisje elektronike. Sipas një dokumenti të brendshëm qeveritar, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur gjithashtu sanksione mbi 213 kompani të lidhura me Rusinë, duke përfshirë edhe disa biznese që zotërohen nga bashkëpunëtorët e ngushtë të Putinit. Mes oligarkëve që targetohen nga sanksionet e reja është Oleg Deripaska, manajti i metaleve dhe miku i ngushtë i zëvendëskryeministrit rus Sergei Prikhodko. Në listën e zezë, është gjithashtu edhe Alexei Miller, drejtori i Gazpromit, i cili luan një rol kyç në diplomacinë globale të energjisë. Por nën presion e kanë gjetur veten edhe zyrtarët kryesorë të qeverisë së Putinit, si sekretari i fuqishëm i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Ministri i Financave.  Atyre ju është ndaluar të bëjnë biznes me qytetarët amerikanë dhe disa prej zyrtarëve ju janë ngrirë pothuajse të gjitha pasuritë.

Sipas eksperteve, Presidenti Trump është përqendruar në tre sektorë kryesore: borxhin e jashtëm rus, energjinë dhe institucionet financiare shtetërore ruse.  Një nga qëllimet kryesore të qeverisë amerikane është ndalimi i të gjithë shtetasve amerikanë të blejnë obligacioneve ruse, si dhe dobësimi i Moskës në fushën kibernetike. Por pjesa e më e debatueshme janë sanksionet energjetike, mes frikës se mund të detyrojnë kompanitë amerikane të largohen nga projektet ekzistuese me qeverinë ruse. Sanksionet u vendosën në bazë të Aktit të Kontrollit të Armëve Kimik, i cili përcakton se një qeveri që ka përdorur armë kimike ose biologjike në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duhet të përballet me sanksione. Zyrtarët britanikë patën deklaruar se ish-agjenti Sergei Skripal dhe vajza e tij Julia ishin helmuar me një lloj agjenti nervor të njohur si “Novichok”, një armë e njohur kimike për autoritetet ruse.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë