Politike

Ç’fitojmë me Sazanin? Pse s’u shpall tender ndërkombëtar? Rama: Jemi te shqyrtimi, do negociojmë pjesëmarrjen e shtetit në investim

Nga Gazeta Si - Vëmendjen pas një takimi një orësh që Kryeministri Edi Rama pati me drejtuesit politikë të qarqeve e mori debati i fundit për projektin ambicioz të dhëndrit të ish presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ndërtim resortesh në Sazan.

Edhe pse Rama disa herë tha se ai ishte një projekt i mrekullueshëm, kryeministri shtoi paralelisht se plani do të kalojë të gjitha hallkat e shqyrtimit. Propozimi sipas tij ka ardhur në Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA ).

Pse nuk shpallët tender ndërkombëtar por zgjodhët persona me lidhje politike?, ishte një nga pyetjet drejtuar Ramës.

“Ne nuk zgjedhim persona por në bazë të  legjislacionit shqiptar i referohemi ofertave dhe propozimeve që na bëhen.

Transformimi i Sazanit në një xhevahir të kurorës së artë të turizmit mesdhetar është ambicie e kahershme. Për hir së vërtetës e kanë pasur dhe qeveritë dhe paraardhësit e mi. Nuk është bërë ende realitet" tha Rama.

Çfarë fitojnë konkretisht shqiptarët nga investimi në Sazan?, një tjetër pyetje kjo që iu drejtua disa herë Ramës.

“Po fitojnë në këtë proces dhe do fitojnë çka nuk imagjinohej vite më parë. Nxitja e këtyre zhvillimeve pasuron shqiptarët, pasurin Shqipërinë, rrit ekonominë, sepse turizmi është një industri që stimulon zinxhirin e prodhimit se të huajt që vizitojnë Shqipërinë konsumojnë këtu, konsumojnë ca prodhojnë bujqit dhe fermerët, konsumojnë ca iu ofrojnë të gjithë ata që janë në shërbim, konsumojnë ato që zinxhiri i shërbimeve krijon. Shqipëria sot për fatin e mirë të të gjithëve dhe për fatin e keq të mendjeve të sëmura, është komplet në nivel tjetër. Deri para disa vitesh ky projekt do ishte i paimagjinueshëm. Diskutojmë për eksperiencën e turizmit botëror që kërkon të hyjë në Shqipëri. Flasim për një Shqipëri që behet konkurruese me luanët e Mesdheut, Greqia Kroacia. Flasim për një aplikim që do shqyrtojmë sipas ligjit, do negociojmë pjesëmarrjen shtetit në atë investim”, tha Rama.

A do të ngrihet ky investim duke falur shumëçka duke nisur nga taksat siç po ndodh me Portin e ri të Durrësit, Rama u përgjigj:   

“Latinët kanë një shprehje” Padija nuk është argument”. Sa i përket zhvillimeve të sipërmarrjes bazuar tek investimet e huaja të gjitha vendet në këtë planet kanë legjislacione favorizuese dhe sa i përket zhvillimeve në sektorin e turizmit, jo vetëm që kanë legjislacione favorizuese, po është një garë se kush i ka me lehtësuese qe të tërheqin investitorë”.

Sa për portin në Porto Romano që do të ndërtohet nga paratë e taksapaguesve shqiptarë ndryshe nga sa u trumbetua më herët, Rama sërish iu spërdrodh përgjigjes. “Sot jemi në kushte kur shqiptarët janë pjesë e investimit në postin e Durrësit p.sh, sepse përmes shtetit, nuk është bërë asnjë falje, sepse porti mbetet i shqiptarëve, por është përfshirë dhe interesi i shqiptarëve në atë port.

Kjo është një tjetër idiotësi, e cila vjen nga ajo çfarë latinët e shprehin ‘Padija nuk është argument’ sepse investimi ynë në portin e ri që do të jetë një aset i shqiptarëve sepse do të investojmë ne, do të thotë se kemi zgjedhur alternativën legjitime të dhënies së ndërtimit të një kompanie të huaj si investitorë dhe hapjes së një tenderi ndërkombëtar ku investitor është shteti”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë