Gazeta Si – Të martën, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, mbërriti në Moskë për një vizitë, për të cilën nuk dihet pothuajse asgjë.
Si qeveria ruse, ashtu edhe ajo amerikane, kanë refuzuar të diskutojnë çështjen me shtypin. Nuk dihet arsyeja e udhëtimit të Ratcliffe-it në Moskë, me kë u takua apo cilët zyrtarë të tjerë amerikanë e shoqëruan atë.
Zëdhënësi i qeverisë ruse, Dmitry Peskov, i tha gazetës “The Washington Post” se vizita përfshinte “kontakte midis shërbimeve të sigurisë”.
Vetëm pak orë më parë, ai u kishte thënë gazetarëve të tjerë se nuk ishin planifikuar takime me përfaqësues të administratës amerikane për këtë javë.
Një nga hipotezat kryesore është se Ratcliffe udhëtoi drejt Moskës për të diskutuar rreth luftës në Ukrainë.
Ndonëse negociatat midis SHBA-ve dhe Rusisë, që synonin arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, kanë ngecur prej muajsh, kontaktet midis administratës së presidentit Donald Trump dhe regjimit të Vladimir Putinit kanë vazhduar.
Sipas disa mediave, përfshirë “Axios” e “Kyiv Independent”, SHBA i kërkoi së fundmi Ukrainës të pezullonte sulmet ndaj Moskës dhe Shën Pjetërburgut gjatë vizitës së Ratcliffe-it.
Ratcliffe e drejton CIA-n – agjencinë kryesore amerikane të inteligjencës së jashtme – që nga janari i vitit 2025 dhe ky është udhëtimi i tij i parë i raportuar në Rusi.
Hera e fundit që një drejtor i CIA-s vizitoi Moskën ishte në nëntor të vitit 2021, kur William J. Burns – i cili e drejtoi agjencinë gjatë presidencës së Joe Bidenit – u përpoq ta bindte presidentin rus Vladimir Putin të mos e sulmonte Ukrainën. Ushtria ruse e pushtoi vendin disa muaj më vonë, në shkurt të vitit 2022.
Lajmi për vizitën e Ratcliffe-it u konfirmua për shtypin nga zyrtarë amerikanë, pasi një avion Boeing C-17A i Forcave Ajrore të SHBA-ve dhe automjete diplomatike u pikasën në një aeroport të Moskës.
Flightradar24, një faqe kryesore për gjurmimin e fluturimeve, tregoi se avioni ishte nisur të dielën nga baza e përbashkët “Andrews” – baza e Forcave Ajrore të SHBA-ve pranë Uashingtonit, ku mbahen avionët qeveritarë.
Më pas, ai u ul në Riga të Letonisë, u nis sërish rreth 24 orë më vonë dhe mbërriti në Moskë të martën në mëngjes.
Një arsye tjetër e mundshme për vizitën lidhet me lirimin e shtetasve amerikanë të ndaluar nga Rusia, përfshirë Stephen Hubbard-in, një mësues 74-vjeçar i mbajtur në paraburgim që nga viti 2022 me akuza për bashkim me ushtrinë ukrainase dhe i dënuar në vitin 2024 me gati shtatë vjet burgim.
Në muajin gusht, Rusia liroi ushtarin amerikan Robert Gilman, i cili kishte qëndruar i burgosur për katër vjet.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje