Ne rrjet

Çfarë aktivitetesh publike ka anuluar qeveria nga koronavirusi?

Pas zbulimit të rasteve të para me koronavirus në vendin tonë, qeveria ka vendosur jo vetëm për mbylljen e shkollave, por edhe ndalimin e të gjitha aktivitetet publike. Urdhri i qeverisë e lë në fakt të hapur gamën e aktiviteteve që mund të anulohen në javët e ardhme, pasi ngjarjet që mund të çojnë në grumbullimin e turmave janë nga më të ndryshmet.

Në aspektin juridik, aktivitete publike cilësohen të gjitha ngjarjet që organizohen nga institucionet publike, si bashkitë, ministritë apo organizata të ndryshme shtetërore.

Në vendimin e saj, qeveria e vë theksin tek tubimet, aktivitetet sportive dhe ato kulturore, Kjo do të thotë se shfaqet, koncertet, festivalet dhe kompeticionet sportive do të anulohen, ose, në rastin e ndeshjeve të futbollit, mund të mbahen pa tifozë. Bashkia Tiranë ka anuluar koncertin e këngëtarit Maluma, i cili pritet të mblidhte mijëra fansa në 14 mars në Tiranë.

Megjithatë, ngjarjet që mund të çojnë në grumbullimin e turmave janë nga më të ndryshmet, duke filluar nga panairet, festivalet, konferencat dhe në rastin e Shqipërisë edhe mbledhjet në ambientet e mbyllura si kafenetë dhe baret.

Në Britaninë e Madhe për shembull, baret nuk lejojnë asnjë qytetar të hyjë pa i matur temperaturën, për të parandaluar përhapjen e epidemisë. Megjithatë këto masa nuk përfshijnë transportin publik, i cili në oraret e pikut mbledh turma të mëdha qytetarësh për shkak të mbingarkesës së urbaneve.

Rekomandimet e prezantuara për të parandaluar përhapjen e koronavirusit ka të ngjarë të kufizojnë jetën shoqërore, ashtu siç ka ndodhur në vendet e prekura në Europë.

Gjermania për shembull ka anuluar të dielën të gjitha aktivitetet publike që çojnë në grumbullimin e më shumë se 1.000 njerëzve në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e koronavirusit.

Ministri i Shëndetësisë Jens Spahn tha se masat përfshinin ndeshjet e futbollit dhe panairet industriale. Që nga e diela në mbrëmje, në Gjermani ka 902 raste të konfirmuara të koronavirusit.

Hannover Messe, një nga panairet më të mëdha tregtare në botë, tashmë është shtyrë nga prilli deri në korrik për shkak të shqetësimeve për përhapjen e virusit, ndërsa një panair i turizmit në Berlin është anuluar.

Spahn më parë bëri thirrje për krijimin e një qendre të europiane për menaxhimin dhe kontrollin e sëmundjeve, duke argumentuar se organizatat aktuale BE-së nuk mund të përballojnë një pandemi.

Italia, vendi i BE i goditur nga virusi, miratoi masat më emergjente në Europë për të kufizuar lëvizjen e 16 milion qytetarë deri në 3 prill. Banorët e rajonit të Lombardisë dhe 14 provincat e tjera në veri të Italisë do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye urgjente shëndetësore dhe profesionale.

Po ashtu edhe qeveria franceze ndaloi grumbullimin e më shumë se 1.000 personave të dielën pasi tre persona vdiqën dhe katër anëtarë të parlamentin francez u konfirmuan me koronavirus.

Javën e kaluar, Franca ndaloi mbledhjen e më shumë se 5,000 personave në hapësira të mbyllura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë