Ceremonia e diplomimit të oficerëve të rinj të Policisë përpara sheshit të ministrisë së Brendshme ku do të ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama ka alarmuar grupimin e “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”. Që dje në mbrëmje, prania e forcave të shumta policore që do të merreshin me organizimin e aktiviteve është cilësuar si një skenar nga aktorët, që sipas tyre synonte të rrethohej Teatri dhe më pas t’i largonin. Aktivisitët të lëvizjes që prej muajsh janë në mbrojtje të kauzës së tyre për mos prishjen e Teatrit Kombëtar kanë reaguar menjëherë duke u mbledhur që të dielën në darkë. Robert Budina një nga drejtuesit e “Aleancës” ka theksuar se një pjesë e policëve kanë tentuar të hiqnin parullën e vendosur “Monument Kulture! Mbrohet nga populli”.
Por pas një bashkëbisedimi mes policisë dhe aktorëve, aktivistëve është vendosur që të mos hiqet. “Kemi një vit e tetë muaj që protestojmë dhe ne propozuam që parulla të mbulohet me policë apo dhe me trupat tanë dhe nuk ishim dakord që ajo të hiqet”, theksoi Budina, që e cilësoi si provokuese mbajtjen e kësaj ceremonie përpara sheshi të Ministrisë, pasi mund të zhvillohej te Akademia e Rendit.
“Është konflikt i stimuluar, është një provokim i pastër i kryeministrit, nëse ai nuk e duron dot dështimin e tij nuk është puna jonë”, shprehen aktorët.

Aktori Neritan Liçaj shprehet se normalisht ceremonia duhej të ishte zhvilluar në Akademinë e Rendit, ashtu siç është zhvilluar çdo vit, por se kësaj here kryeministri ka preferuar që ta zhvillojë përpara sheshit të “Teatrit”.
Menjëherë janë mbledhur aktivistët e aktorët si pjesë e lëvizjes duke pritur ndonjë përballje me policinë, pasi ata kundërshtuan heqjen e parullës. Dhe zgjidhja është gjetur duke vendosur një kordon të kadetëve të rinj përgjatë pjesës së parullës në mënyrë që të mos i binte në sy gjatë fjalës që do të mbante kryeministri.
Por mësohet se kryeministri Edi Rama ka anuluar pjesëmarrjen në këtë ceremoni për shkak të mbledhjes së Kryesisë së Partisë Socialiste. Ceremonia e diplomimit ka vijuar pa praninë e kryeministrit, i cili kishte parashikuar që të mbante fjalim në këtë takim. Aktiviteti është zhvilluar në forca të shumta policie dhe nuk janë lejuar operatorë e fotografë që të filmonin apo të fotografonin.

Në korrik të këtij viti pati një përplasje të fortë mes aktivistë të “Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit” dhe policisë të cilët kundërshtuan tentativën për të nxjerrë jashtë dhe prishur godinën e Teatrit. Në mbështetje të aktorëve shkuan edhe përfaqësues të opozitës, të PD-së, si dhe vetë kryedemokrati Lulzim Basha. Pas disa orë përleshjesh me forcat e policisë, aktorët arritën të hynin brenda ambienteve të Teatrit, duke marrë në zotërim godinën që është vënë në shenjëstër nga shteti për t’u shembur dhe për t’u ndërtuar një objekt i ri. Ky projekt kontestohet nga aktorët, pasi në pjesën e territorit të Teatrit parashikohet që të ngrihet sipas tyre edhe kulla apartamentesh. Sakaq ligji “Për Teatrin” është ankimuar nga presidenti Meta në Gjykatën Kushtetuese.

Policë të shumtë të mbledhur përpara sheshit të Teatrit Kombëtar. Foto Arben Çeli. Gazeta Si, 21 tetor 2019
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.