Ngjarje

Çela: Hetimet për tërmetin, provë për pavarësinë reale të prokurorëve

Kryeprokurori Olsjan Çela e cilëson mënyrën e veprimit të Prokurorisë së Durrësit për hetimet për pasojat e tërmetit si një tregues për funksionimin e pavarësinë reale të prokurorëve. Këtë qëndrim mbajti Çela gjatë një takimi me prokurorët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, përpara përfundimit të punës së tyre. Kjo Prokurori e krijuar përpara 15 viteve shkrihet me krijimin e SPAK-ut dhe prokurorët aktualë janë transferuar në prokurori të ndryshme.
Prokurori i Përgjithshëm, Çela në fjalën e saj vuri theksin gjithashtu edhe tek kuadri i ri ligjor në të cilin veprojnë prokurorët, ku pavarësia u cilësua si elementi thelbësor që do të karakterizojë punën e tyre. Ai siguroi se do të jetë mbështetës dhe garant i kësaj pavarësie. Mes të tjerash Çela u shpreh se “rezultatet e hetimit në çështjet që lidhen me pasojat e tërmetit të 26 Nëntorit nga Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës janë provë e funksionimit të pavarësisë reale të prokurorëve dhe vlerësoi punën e tyre në këtë drejtim”.

Kryeprokurori Çela në një foto të përbashkët me prokurorët e Krimeve të Rënda. Gazeta "Si", 16 dhjetor 2019

Ai u shprehu prokurorëve të pranishëm vlerësimet maksimale për punën e kryer përgjatë 15 viteve të funksionimit të saj, duke theksuar se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka qenë model për rajonin dhe ka arritur rezultate të rëndësishme në luftën ndaj krimit të organizuar. Në fjalën e tij ai vlerësoi lart profesionalizmin e tyre dhe shprehu besimin se eksperienca që ata kanë do të jetë shumë e vlefshme për prokuroritë ku ata do të vazhdojnë të ushtrojnë funksionet. Njëkohësisht ai vlerësoi pozitivisht vendimet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për transferimet e prokurorëve të kësaj prokurorie, si shenjë e mbështetjes dhe vlerësimit që ky organ dha për karrierën e prokurorëve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në fund ai u uroi suksese në karrierën e mëtejshme prokurorëve, duke shprehur besimin se kontributi i tyre do të jetë i rëndësishëm për rritjen e besimit të publikut tek drejtësia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë