Ana e errët

Caktuan ditën e dasmës, ai u zhduk bashkë me paratë dhe bizhutë. Si 60 vjeçari zhvati vajzën beqare

Policia i hodhi prangat një burri të moshës 60 vjeç, i cili ia doli mbanë jo vetëm të fitojë zemrën e një të reje, por po ashtu edhe paratë e saj. I prezantuar tek e reja si një burrë i ve, që kishte një jetë midis Italisë dhe Shqipërisë dhe që ishte në kërkim të shpirtit binjak, të akuzuarit nuk iu desh shumë punë për ta rrëmbyer zemrën e denoncueses.

Sipas burimeve të Gazetasi.al, shtetasi i prezantuar me inicialet G. I dhe që u arrestua për mashtrim, nisi njohjen me të renë në janar të këtij viti. Pasi ata u njohën rastësisht në Facebook, e reja i thotë oficerit të policisë së kryeqytetit se ajo vendosi të shkëmbejë edhe numrat me mashkullin përtej kompjuterit. Në fund  të janarit 2022 të dy vendosën të ulen në kafe.

‘Pimë kafe së bashku dhe ai ishte i  shoqëruar nga një kushëri i prezantuar si XH.B. Ai më tha se bashkëshortja i  kishte vdekur dhe që kishte një vajzë  që jetonte dhe punonte në shtetin italian. Pasi u frekuentuam atë ditë ai  ishte shumë I qartë dhe ma tha direkt se kërkonte një grua me të cilën të jetonte”, tregon ajo.

Kjo bisedë midis të dyve e bindi të renë se ata duhet të njiheshin më mirë.

Burimet i thonë Gazetasi.al se e mashtruara i tregon një më një policisë se çfarë i ndodhi më pas. Dhe kjo ishte përtej gjithëçkaje që ëndërronte ajo, për një mashkull i cili ishte gjysma e saj dhe që e kuptonte fare mirë. Burri i ve  kishte qenë duke luajtur rolin për ti zhvatur paratë.

‘Vazhdimisht dilnim në kafene në Tiranë dhe bisedonim. Më tregoi se kishte dyqane floriri këtu dhe në Kosovë. Më tregoi se më së shumti udhëtonte drejt Pejës  për biznes’’, thotë ajo. Në kulmin e lidhjes dhe “të mirëkuptimit” e reja i tregoi policisë se u telefonua nga i dashuri që i kërkoi para borxh pasi i duheshin me urgjencë.

 “Tha që i kishte të mbyllura në Bankën e Shqipërisë dhe se do mi kthente në datën 4 ose 5 korrik. Ne kishim vendosur të martoheshim në 24 korrik dhe çdo gjë po ecte shkëlqyeshëm midis nesh. Ne kuptoheshim fare mirë”, thotë ajo. Pasi e reja ia dha shumën e borxhit prej 2.5 milionë lekë, “dhëndërri” i ardhshëm që hynte e dilte pa problem në shtëpinë e saj e bindi që ajo madje ti dorëzonte çdo gjë me vlerë pasi i duheshin para të tjera.

“I kam dhënë me duart e mia paratë që kisha në banesë 1850 euro dhe gjithë bizhuteritë e mia, tre unaza floriri, një palë vëthë floriri, dy byzylykë floriri, një varëse flori, një palë vathë argjendi, katër bono thesari me prerje 4 mijë dhe 2 mijë. Vlera e tyre ishte 700 mijë lekë të reja” dëshmon në drejtorinë vendore e reja.

Ajo jo vetëm që nuk e veshi fustanin e bardhë, por aventura e keqe vijoi në ditët e mëpasshme. Me pretendimin se i  duheshin para pasi do blinte disa gjëra antike, ai përvetësoi çdo monedhë që beqarja dispononte. ‘Kur ne flisnim në fillim në rrjetet sociale dhe kur pinim kafe njëherë në javë, më pas ai shprehej se po kalojnë ditët dhe se së shpejti po afrohej dita e martesës. Na hengri vetmia thoshte, mos e ki problem se do ikim në Itali dhe mos fol me njerëzit se ne kemi njëri-tjetrin”, vijon e mashtruara të tregojë për lidhjen.

Por kur po afrohej fundi i korrikut kur dhe kishte dasmën, burri u zhduk.

“Ndërpreu komunikimin dhe G. më tha se kishte ikur drejt Suedisë për arsye shëndetësore. Më bëri bllok ngado, në facebook, messenger dhe në WhatsApp. Erdhi një pikë që ishte e pamundur të komunikoja me të dhe nuk po kuptoja ç’po ndodhte” denoncon vajza. E reja u informua nga “bashkëshorti” mashtrues se po kurohej nga zemra në Malmo dhe se e kishte të pamundur të ishte me të.

Policia i thotë jo zyrtarisht Gazetasi.al se e gjeti 60 vjeçarin në Tiranë dhe pasi e mori në pyetje vendosi ta arrestojë për mashtrim. “Nuk është e vërtetë që i kam premtuar për martesë. Ne kishim lidhje shoqërore dhe miqësore. Paratë dhe bizhuteritë mi solli vetë pranë nëntë katësheve. I kam marrë vetë 2.5 milionë lekë dhe 1150 euro dhe këtë gjë e pranoj që do ja ktheja në muajin shtator” justifikohet mashtruesi i cili nuk ka pranuar pjesë të tjera nga dëshmia e viktimës së tij, ku i kishte thënë se ishte i apasionuar pas gjërave antike dhe se kishte bllokim venash dhe do operohej.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë