Lojëra me Dore

Caktohen datat e sezonit 2020-2021, kur nis Liga e përbashkët në basketboll Shqipëri-Kosovë

Pas një periudhe të gjatë kohore që nga nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e Ligës Unike, apo Ligës së përbashkët në basketboll Shqipëri-Kosovë, garat do të fillojnë me datën 6 Prill 2021. Gara do të zhvillohet në format të “Final 8” me sistem eliminimi dhe ndeshjet e para çerekfinale do të luhen në Rahovec me datë 6 dhe 7 Prill 2021, ndërsa ndeshjet gjysmëfinale, gara për vendin e tretë dhe finalja e madhe e Ligës UNIKE do të zhvillohen me datat 13-14 Prill në Durrës.

Marrëveshja për bashkimin e ligave është firmosur vitin e kaluar në Tiranë nga dy presidentët e federatave përkatëse, Avni Ponari dhe Arben Fetahu, pas një serie të gjatë takimesh dhe bisedimesh. Pjesëmarrës do të jenë tetë skuadra, katër nga Shqipëria dhe katër nga Kosova. Shqipëria do të përfaqësohet me Teutën, Goga Basket, Partizanin dhe Vllazninë, kurse Kosova me Sigal Prishtinën, Rahovecin, Pejën dhe Golden Eagle Ylli.

Ajo që ngjall më shumë interes tani e tutje ka të bëjë me faktin, nëse shembullin e basketbollit do ta ndjekin apo jo edhe sportet e tjera. Shumë është folur për një aktivitet të përbashkët edhe për futbollin e sporte të tjera, por basketbolli ka vepruar i pari, duke zyrtarizuar këtë marrëveshje historike, që është përshëndetur menjëherë nga tifozët kuqezi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë