Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj ka reaguar ndaj dhënies së Çmimit Nobel për letërsinë për shkrimtarin austriak Peter Handke. Ky i fundit njihet si një mbështetës i Sllobodan Milosheviçit dhe ishte pro masakrave që Serbia ka kryer në Kosovë dhe në Bosnjë.
Me anë të një postimi në Twitter, Cakaj shprehet i zhgënjyer që ky çmim i është dhënë një personi që ka mohuar gjenocidin serb mbi shqiptarë. Madje ai shkon dhe me tej, kur e quan “akt të pakuptimtë dhe të turpshëm, dëshmitarë të të cilit jemi në vitin 2019”.
“Si një njeri i pasionuar me bukurinë dhe fuqinë e përjetshme të letërsisë për të pasuruar përvojën njerëzore dhe si viktimë e spastrimit etnik dhe gjenocidit, jam i mërzitur nga vendimi për t'i dhënë Çmimin Nobel në Letërsi një mohuesi të gjenocidit. Çfarë akti i pakuptimtë dhe i turpshëm!”, shkruan Cakaj në Twitter.
Edhe zëdhënësja e qeverisë, Minsitrja e Shtetit, Elisa Spiropali shkruan se Nobeli iu dha “njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit”.
“Nobeli për Letërsi iu dha Peter Handke, glorifikuesit të Millosheviçit, mbështetësit të gjenocidit kundër shqiptarëve të Kosovës, njeriut që qau në varrimin e kasapit të Ballkanit. Fal Zotit nuk është gjallë Hitleri se Nobelin do e fitonte “Mein Kampf”-i. #TurpPërKomitetin“, shkruan ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.