Nga Gazeta ‘SI’ – Në projektbuxhetin e vitit 2024, qeveria parashikon të rrisë të ardhurat me pothuajse 20 mld lekë, duke pritur të arkëtojë në total 674.7 mld lekë, nga të ardhurat tatimore dhe doganore.
Shpenzimet për vitin 2024, parashikohen në nivelin e 735.9 mld lekëve, duke u shtuar me rreth 30 mld lekë nga 2023-shit dhe deficiti 62.3 mld lekë. Nga këto, 128.5 mld do t’i dedikohen investimeve publike, ku përfshihet dhe fondi i veçantë për Rindërtimin. Rritja nga një vit më parë është vetëm 6 mld lekë.
LEXO EDHE:
– Nga Rindërtimi tek AKSH-i, kujt i shtohen fondet. Qeveria prezanton ndryshimet e buxhetit në Kuvend
– Qeveria miraton pr. Buxhetin 2024, Mete: Paga mesatare 900€ brenda vitit. S’ka TVSH për arsimin
Sipas zërave, burimi i parave me rritjen më të madhe për shtetin parashikohet të jetë ai i kontributeve sociale, me rritje 13 mld lekë, duke u arkëtuar në total 156.7 mld lekë. Por vlerën më të madhe pritet ta japë mbledhja e TVSH-së, 211.2 mld .
Rritje e konsiderueshme parashikohet edhe nga TAP, tatimi mbi të ardhurat personale, +9.2 mld lekë. Kjo sipas MFE do të ndodhë nga rritja e pagës në shtet, rritja e pagës në privat, futja e profesioneve të lira në skemë dhe futja e të ardhurave nga turizmi dhe akomodimi të subjekteve që nuk janë të regjistruara dhe deklaruara si njësi akomoduese.
Në relacionin shoqërues të pr.buxhetit të depozituar në Kuvend, ministria e Financave ka shtuar edhe tabelën me faktorët që parashikon se do të ndikojnë më së shumti në shtimin e të ardhurave.
Vetëm nga rritja ekonomike në vend, qeveria parashikon rritjen më të madhe të të ardhurave, me 15 mld lekë, ndjekur nga reforma e pagave dhe kontributet sociale, me 12 mld lekë.
Përmirësimi administrativ i të ardhurave, do të shtojë të ardhurat në buxhet me 7.5 mld lekë dhe paketa e re fiskale me 7 mld .
Indeksimi i çmimeve, pra rritja e tyre, në një efekt zinxhir që prek tatimin, parashikohet të sjellë 4 mld lekë shtesë në buxhet për vitin e ardhshëm.
Tavani për vlerën totale të kontratave në përqindje të PBB-së për të gjitha projektet koncesionare/PPP-të ekzistuese dhe ato të kontraktuara rishtazi për vitin 2023, në përputhje me të dhënat e regjistrit të koncesioneve, është 30.6% e PBB-sё.
Në dokument, MFE konsideron mundësinë e një Eurobondi të ri gjatë 2024-s. Qëllimi është që borxhi publik të ulet poshtë nivelit 60% e PBB-së në 59.8%.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.