Ka ndodhur

Burri plagos gruan me thikë për xhelozi në Tiranë. Ishte dënuar në 2011-ën për vrasjen e një 28-vjeçari

Gazeta Si - Një krim në familje ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje në Tiranë në rrugën “Xhanfize Keko”.

Një 52-vjeçar, Jakup Sh., goditi gruan e tij me mjet prerës në trup e në qafë në banesën e çiftit rreth orës 02:15, ku shkak dyshohet të jetë xhelozia.

46-vjeçarja E.Sh. ka mbetur e plagosur dhe është dërguar në spital. Ndërsa autori u arrestuar nën akuzën e vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare të mbetur në tentativë. Në polici ai ka treguar se sherri ka ndodhur për arsye xhelozie.

Para gjashtë muajsh ai është arrestuar nga policia e Tiranës për dhunë, por ka bërë burg vetëm tre ditë e më pas është lënë i lirë.

Çifti në fjalë ka dy fëmijë. Një djalë sipas informacioneve ndodhet jashtë shtetit e ndërsa vajza ndodhet në Tiranë, por që jeton me familjen e saj.

Mësohet se 52-vjeçari ka qenë i dënuar për vrasjen e 28-vjeçarit Arjan Mejdani në Selitë të Tiranës në vitin 2011, ku u dënua me 13 vite burg, për motive xhelozie.

Jakupi ka vrarë me kallashnikov Arjan Mejdanin, ndërsa shoku i tij Agron Isiu, plagosi dy të tjerë, babain e viktimës, Bujar Mejdani dhe kunatin e këtij të fundit, Arben Muharremi. Ata tentuan të arratiseshin, por i mbaroi karburanti i makinës dhe u kapën nga policia.

Jakup Shahu, kishte një lidhje jashtëmartesore me bashkëshorten e viktimës Arjan Mejdani. Kjo lidhje fillimisht është zbuluar nga bashkëshortja e autorit.

Gruaja e të dyshuarit Jakup Shahu, një javë para ngjarjes, ka shkuar për te lokali i viktimës, aty ku ndodhi edhe vrasja dhe ka nisur të debatojë me gruan e Arjan Mejdanit, duke e akuzuar se i kishte marrë bashkëshortin.

Aty ka nisur konflikti mes dy bashkëshorteve, fillimisht me fjalë e më pas janë kanë nisur të godasin njëra-tjetrën me sende të forta.

Sherri ishte i vazhdueshëm mes dy grave. Mejdani ka shkuar të takojë të dyshuarin Jakup Shahu, i cili banonte pranë shtëpisë së tij.

Duke debatuar me të, në mes është futur bashkëshortja e Shahut, e cila ka rrëfyer edhe historinë e tradhtisë nga ana e të shoqit dhe gruas së viktimës.

Fillimisht Mejdani ka nisur të debatojë me dy autorët në lokalin e tyre dhe më pas ata kanë nxjerrë armët nga një makinë që ishte i parkuar para lokalit dhe kanë nisur të qëllojnë në drejtim të tyre, ku Arjani ndërroi jetë 15 minuta pasi mbërriti në spitalin e Traumës dhe u plagosën dy familjarët e tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë