Ana e errët

Burri dorëzon kamera në polici. Gruaja do që ta rrah, që të marrë urdhër mbrojtjeje

foto ilustruese per dhunen

Nga Gazeta Si -Të panumërta janë ankesat e grave që denoncojnë e rrëfejnë skena dhune në çift, që shpesh e më shpesh kanë shkaktuar arrestimin në flagrancë të burrave.

Të panumërta janë ato gra që sigurojnë urdhër mbrojtjeje, largim të bashkëshortit nga banesa atëherë kur konstatohet se anëtari i familjes është përsëritës në dhunë.

Por një shtetas që është në prag divorci dhe që molla e sherrit është kthyer djali i tyre i vogël, ka paraqitur prova në komisariatin numër 4 që sipas tij vërtetojnë se gruaja e provokoi në publik, duke pasur si synim një reagim të të shoqit. Që do të thotë gruaja e ka provokuar që ish-bashkëshorti ta rrihte dhe më pas ajo të shkonte në polici e më tej në gjykatë dhe të garantonte një urdhër mbrojtjeje.

Burimet shumë të sigurta i treguan gazetës Si se e para ka shkuar 28-vjeçarja B. K. në polici duke thënë se “e mori djalin për disa orë gjatë fundjavës dhe kur e telefonova ai s’ma hapi numrin. U bëra merak dhe fillova të bërtas kur e takova dhe kur mora fëmijën më vonë, ai më erdhi pas filloi të më shtyjë dhe ofendojë”.

Por gruaja, e cila këmbëngul se u dhunua psikologjikisht, është tradhtuar nga kamerat e sigurisë që gjendeshin të instaluara në ambientin ku u takuan ish bashkëshortët. Këto materiale i dorëzoi burri që sapo mbërriti në polici mbasi e thirrën agjentët, ai nxori nga xhepi një usb duke shtuar: gruaja më provokoi që ta godisja, por nuk e kam bërë diçka të tillë.

“Nuk e kisha dëgjuar telefonin se na kishte zënë gjumi. Kur u lidhëm në telefon dhe do ktheja fëmijën ajo ishte tërbuar dhe kërcënoi e shau në telefon. E vesha djalin dhe ia çova aty ku po më priste. Sa më pa erdhi drejt meje më shau me fjalë nga më të rëndat dhe me një shishe uji qëllonte me kofano mbi makinë”.

Policia i thotë Gazetës Si se këqyri kamerat e sigurisë dhe u bind për sjelljen e gruas që shfaqet duke qëlluar automjetin me sende dhe me shkelma.

“Ajo kërkon që ta dëmtoj fizikisht dhe kallëzimet e saj janë të vazhdueshme. Por kam vendosur të ruaj qetësinë, mbasi strategjia e saj është të më veçojë që mos të takoj djalin, gjë që s’ka për të ndodhur”, mbylli dëshminë i denoncuari.

Policia shton për Gazetën Si se sherret për fëmijët mes çifteve të ndara janë kthyer në një alarm. “Është shkuar deri aty sa një burrë denoncoi bashkëjetuesin e ish-gruas se i kishte hedhur fjalë ngacmuese të bijës, por u pa qartë se ai po luante me ne dhe ne e i përpiluam materialin për kallëzim të rremë, bazuar në rrëfimet e vajzës në prani të psikologëve që insistoi se nuk ishte asnjë problem nga njerku”, shprehet një përfaqësues i forcave të rendit për Gazetën Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë