Gazeta Si – Një automjet ka dalë nga rruga dhe ka përplasur 4 këmbësorë në Burrel në vendin e quajtur “ish-grumbullimi”, ndërsa shoferi, Ylber Xhepavdia, i cili u largua nga vendngjarja, u arrestua pas pak orësh.
Sipas policisë, 4 kalimtarët e aksidentuar po marrin mjekim në spital dhe dyshohet se drejtuesi ka humbur kontrollin mbi mjet, duke dalë nga rruga, ku fillimisht është përplasur me koshin e mbeturinave dhe ka marrë përpara katër personat që ndodheshin në trotuar duke i plagosur rëndë.
Pasi ka shkaktuar aksidentin, policia njoftoi se drejtuesi i mjetit është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa pas rreth 3 orësh u prangos.
Tre të plagosurit, mes tyre një fëmijë janë dërguar me urgjencë drejt spitalit të Traumës në Tiranë, ndërsa personi i katërt, i cili është shofer i mjetit të pastrimit të Bashkisë dhe në atë moment po ndërronte gomën e mjetit, po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Burrelit.
Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit të rëndë, ndërsa paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë shpejtësia e lartë me të cilën lëvizte mjeti tip “Benz”.
“Me datë 19.02.2024, në vendin e quajtur ‘ish grumbullimi’ në qytetin e Burrelit, shtetasi Y.Xh., duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe për pasojë mjeti ka dalë nga rruga dhe ka aksidentuar 4 shtetas (këmbësorë), të cilët po marrin ndihmë mjekësore në spital. Shëbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje drejtuesit të mjetit shtetasit Y.Xh., i cili pasi ka shkaktuar aksidentin, është larguar nga vendngjarja|, – njofton policia.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.