Drejtësia

Burgu pa togë shoqërimi, dështon seanca ndaj vrasësit të Pjerin Xhuvanit në Elbasan

Gazeta Si - Gjyqi në ngarkim të ish-policit Arbër Paplekaj, dy ish-drejtorëve të policisë, Niko Palla, Albert Nushi dhe 6 efektivëve të ''Shqiponja''-s është shtyrë për të pestën herë.

Seanca paraprake mësohet është shtyrë për shkak të mungesës së togës së shoqërimit nga ana e policisë të Paplekajt.

Sipas kësaj të fundit është thënë se nuk kanë kapacitete për ta shoqëruar atë në seancë, edhe pse Paplekaj ka dashur të jetë i pranishëm, sipas deklaratës së avokatit të tij, Marash Nartinaj.

“Jo s’kemi një arsye tonën. Është një arsye që nuk varet nga ne. Trupa e shoqërimit nuk e ka shoqëruar Paplekajn sot në seancë. Ai donte të ishte. Sipas tyre në e-mail, në njoftimin për gjykatën kështu ishte, që ata nuk kishin togë shoqërimi”, tha avokati i tij në një prononcim pas gjyqit, ku u pyet për arsyen e dhënë nga Policia e Burgjeve. Seanca e radhës pritet të zhvillohet këtë të premte, pas dy ditësh.

Katër ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë pas një përplasjeje me armë në lagjen “5 Maji” në Elbasan. Nga përplasja, 3 persona të tjerë u plagosën, mes tyre  një efektive policie.

I akuzuar për vrasjen është ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekaj, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.

Prokuroria ka dërguar për gjykim edhe dy zv/drejtorët e policisë Nikollaq Palla dhe Albert Nushi si edhe 6 efektivët e forcave “Shqiponja”, të cilët akuzohen të gjithë për shpërdorim detyre.

Vrasja shkaktoi reagime të shumta dhe akuza të ndërsjella nga ana e politikës. Partia Demokratike akuzoi socialistët që po blinin vota për të fituar zgjedhjet, ndërsa shumica akuzoi opozitën se kishte ngritur një grup të armatosur për ta përdorur para dhe gjatë zgjedhjeve.

Viktima Pjerin Xhuvani është akuzuar më parë nga Partia Demokratike si organizator i përplasjes me simpatizantët e PD-së në Ditën e Verës në datën 14 mars.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë