Drejtësia

Burg për autorët dyshuar të vrasjes së Luljeta Prezës. Nëna e 22-vjeçarit: Të kalbet në burg nëse e ka vrarë!

Gazeta Si - Gjykata ka lënë në burg Aldo Brahimin dhe Ylli Grabovarin, autorët e dyshuar të vrasjes me thikë të 32-vjeçares Luljeta Preza.

Në dëshminë e tyre të parë, dy autorët e kanë mohuar vrasjen, ndërsa përpara gjykatës kanë dalë kokulur. Brahimaj dhe Grabovari janë shprehur se nuk mbajnë mend se çfarë ka ndodhur.

E pranishme në sallë ka qenë edhe nëna e 22-vjeçarit Brahimaj, e cila pranon dënimin e të birit. “Të kalbet brenda nëse e ka bërë djali im”., - tha ajo në gjykatë.

Familjarë të Aldo Brahimit, kanë mbërritur nga Grabjani i Lushnjës në Gjykatën e Durrësit për të ndjekur seancën për caktimin e masës së sigurisë në gjykatë.

Nëna dhe njerku i 22-vjeçarit deklaruan se kishte disa javë që Brahimi ishte larguar nga shtëpia për të mbledhur kanaçe.

E ëma u shpreh se nuk kishte dijeni se me çfarë merrej i biri ndërkohë që nuk kthehej në shtëpi, deri kur në derë i është shfaqur policia.

Luljeta Preza nga Sukthi, pjesë e komunitetit rom u gjet e pajetë poshtë Urës së Dajlanit para pesë ditësh.

Sipas policisë, pasi e vranë, ata e lanë trupin e pajetë të vajzës nga Sukthi poshtë "Urës së Dajlanit" në Durrës.

Policia njoftoi se në momentin e krimit autorët e dyshuar dhe viktima kanë qenë nën efektin e kokainës. Bashkë me ta kanë qenë edhe 3 shtetase të tjera, që janë proceduar penalisht.

Gjatë konfliktit 2 autorët kanë goditur me thikë Luljeta Prezën, e cila si pasojë ka humbur jetën në vendin ku iu gjet trupi.

Dyshohet se viktima kishte konsumuar kokainë, së bashku me tri vajzat e identifikuara si B. S. 28 vjeçe, M. M. 26-vjeçe dhe një e mitur 15 vjeç. Sipas burimeve policore, viktima është abuzuar seksualisht dhe më pas është goditur me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë