Politike

Bundestagu me gjysmëzëri: Po negociatave për Shqipërinë

Pak më shumë se gjysma e deputetëve të Bundestagut gjerman votoi për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë, ndërkohë që hapja e tyre me Maqedoninë e Veriut mori një mazhoranca më të konsoliduar.

395 nga 709 deputetë të Bundestagut votuan për hapjen e tyre me Shqipërinë në procesin që zgjati rreth 30 minuta, ndërkohë që Maqedonia e Veriut mori miratimin e 465 deputetëve. 188 deputetë votuan kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe 16 të tjerë abstenuan, ndërsa për Shkupin 122 ishin kundër dhe po 16 të tjerë abstenuan.

Dallimi tjetër, veç këtyre numrave është që hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut mbështetet nga Bundestagu pa u shoqëruar nga asnjë kusht nga pas, ndërkohë që Shqipërisë i rëndojnë 9 kushte të tilla të ndara në dy faza. Dy kushtet e para, ai për rikthimin në funksion të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë dhe reforma zgjedhore duhet të plotësohen para takimit hapës të negociatave, ndërsa tek 7 kushtet e tjera, Bundestagu i rezervon të drejtën e ndërprerjes së negociatave nëse vërehet mungesë vullneti në plotësimin e tyre.

Votimi tregon gjithashtu që praktikisht Shqipëria është e ndarë nga Maqedonia e Veriut në këtë proces, pavarësisht gjuhës dhe rrugës së mesme të përzgjedhur për këtë vendim. Për Maqedoninë është ofruar një afat kohor konkret, që negociatat duhet të hapen që në fillim të vitit të ardhshëm, ndërsa për Shqipërinë jo.

Edhe në fjalimet përkatëse, deputetët gjermanë u ndalën më gjatë tek Shqipëria. Florain Hahn i CDU/CSU-së e vlerësoi si mundësi historike që po i jepet Shqipërisë. Kriteret e vendosura i cilësoi mjaft të forta dhe ftoi që të votohej për hapjen e negociatave duke shtuar se ky hap nuk përkthehet në anëtarësim.

Deputeti tjetër, Peter Bayer po i grupit parlamentar CDU/CSU u ndal tek ccështja “Tahiri”. Vendimin e drejtësisë shqiptare ai e cilësoi përpjekje për t’u hedhur hi sive ndërkombëtarëve.

Amendamenti i Të Gjelbërve, që nëntë kushteve të CDU/CSU-së u bashkangjiste edhe tre kushte të tjera u rrëzua.

Politikani i parë që ka reaguar nga Shqipëria mbi këtë votim ishte Presidenti Ilir Meta. Ai nuk sheh asgjë për të gëzuar për Shqipërinë dhe mesazhin e mbyll me urimin për Maqedoninë e Veriut. Për Shqipërinë, detyrat, sipas tij janë të qarta.

“Tani urgjent të punohet për zgjidhjen e shpejtë të krizës së rëndë politike dhe plotësimin e 9 kritereve të qarta! Po të ishin dëgjuar këshillat e tyre në kohë, sot do të kishim marrë një vendim pa kushte ashtu si Maqedonia e Veriut. Reflektim serioz për t’i dhënë Shqipërisë një mundësi reale, jo imagjinare!”, shkruan Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë