Ngjarje

Bulqizë, minatori 60-vjeçar vijon të jetë ende i bllokuar në galeri

Minatori Muharrem Plaku, i cili mbeti i bllokuar, pasi galeria e kromit ku punonte u shemb në Bulqizë një ditë më parë, ende nuk është gjetur.

Prej më shumë se 20 orësh, 60-vjeçari, me detyrë zjarrmëtar, ka mbetur i bllokuar në galeri prej orës 12:00 të së mërkurës dhe ende nuk dihet fati i tij.

Ngjarja u raportua rreth orës 12:10 nga Policia e Dibrës, e cila nuk dha asnjë sqarim tjetër përves faktit se Muharrem Plaku po punonte në galeri.

Muharrem Plaku mësohet ishte duke bërë gati frontin e punës për minatorët për shfrytëzimin e kromit, por dyshohet se një masiv i madh inertesh e ka bllokuar. Kolegët e tij arritën të dalin me dëmtime të lehta, ndërsa 60-vjeçari mbeti i bllokuar nëntokë.

Prej mesditës, pranë minierës vijon një operacion për zhbllokimin e galerive dhe nxjerrjen e teknikut të bllokuar nëntokë, gjendja shëndetësore e të cilit nuk dihet.

Por ndërhyrja nga Grupi i Avari Shpëtimit dhe specialistë të Repartit të Inspektim Shpëtim të Minierave, është e vështirë dhe komplekse.

Ky është incidenti i disatë në minierat e Bulqizës në më pak se një javë, pasi situata e sigurisë në minierat e kromit prej kohësh vijon me probleme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë