Ngjarje

Bulqiza po fundoset! Ekspertët kërkojnë analizë gjeomorfologjike

Uji i pijshëm nuk është i vetmi problem për Bulqizën dhe banorët e saj këto ditë. Ekspertët kanë lëshuar alarmin se qyteti i vjetër rrezikon të fundoset dhe për këtë kërkojnë një analizë të thelluar gjeomorfologjike të terrenit ku është shtrirë ky qytet.

Kërkesa është shqiptuar tërthorazi nga kompania Gjeokonsult & Co. Kjo e fundit është konsulente e Bashkisë së Bulqizës në hartimin e Planit të Përgjithshëm Vendor. Aktualisht, nga kjo kompani thonë për Gazeta Si se puna është ende në fazë studimore dhe vetëm në fund të saj do të mund të dilet me propozimet konkrete si për autoritetet vendore, ashtu edhe për ato qendrore.

Por, puna studimore nuk përfshin analizën gjeomorfologjike, pra analizimin me detaje të nëntokës së Qytetit të Vjetër të Bulqizës, që ndodhet mbi galeritë e minierës së kromit.

“Ne kemi vënë re rrëshqitje në rrugët e qytetit të vjetër”, deklarojnë nga kompania Gjeokonsult & Co.

Megjithatë, shqetësimi i ekspertëve ka rënë në vesh të shurdhër. Një analizë gjeomorfologjike jo vetëm që nuk duket në horizont, por Bashkia e qytetit ka shkuar më tej duke dhënë të tjera leje ndërtimi, njëra prej të cilave deri në 7 kate. Nga kompania Gjeokonsult thonë se lejet janë dhënë para se kjo kompani të niste punën studimore për Planin e Përgjithshëm Vendor.

“Nëse Bashkia e ka miratuar para nesh, ne nuk mund të dalim kundër planit të Bashkisë, por ne nuk kemi lejuar ndërtime të tjera përveç atyre që ka dhënë leje Bashkia. Ne i kemi çuar të gjitha ndërtimet, më të lartat në qytetin e ri, ku nuk ka probleme”, thotë kompania.

“Gjeokonsult” deklaron se ka bërë si propozim ndërtimin e një rrjeti kanalizimesh, pasi në qytet nuk ka një rrjet të tillë, por veprohet me gropa septike në nivel lagjeje, pallati, institucioni dhe shtëpie.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë