Nga Gazeta Si - Maturantët shqiptarë nuk duan të studiojnë në degët e bujqësisë apo mësuesisë, por shumica kërkojnë të bëhen inxhinierë dhe IT.
Sipas përllogaritjes së kryer nga RASH, Rrjeti Akademik Shqiptar, me mbylljen e fazës së parë të aplikimeve në datën 4 gusht, degët prioritare të caktuara nga qeveria, bujqësia dhe mësuesia kanë patur më pak interes nga maturantët për vitin akademik 2024-2025.
Megjithëse vitin e kaluar, qeveria premtoi dhënien e bursës sa rroga minimale për studentët që vendosin të ndjekin degët mësuesi, bujqësi dhe turizëm, kandidatët për maturantë nuk kanë preferuar këto degë.
Sipas qeverisë, studentët që do të përzgjidhnin degët prioritare, do të duhet të punonin në Shqipëri për të paktën 3 vite.
Madje, qeveria, vitin e kaluar vendosi që për degët prioritare, bujqësi e mësuesi, të ulte kriterin e mesatares nga 8.5 në 7.5 duke u mundësuar bursa për të ndjekur këto programe me kushtin që kur të diplomohen të japin kontribut në Shqipëri për 3 vite.
Duket se kjo nuk është preferuar nga të rinjtë, pasi degët më të preferuara u mundësojnë punësim të shpejtë në tregun vendas e të huaj.
Sipas kreut të Rrjetit Akademik Shqiptar, nga 28 mijë maturantë, për herë të parë ulen kërkesat për studime në universitetet brenda vendit, publike e private. Në fazën e parë të aplikimeve u regjistruan 19.713 maturantë në të gjithë vendi.
"Në vendin e parë me mbi 27 përqind e aplikimeve, janë aplikimet për studime në degët e inxhinierisë dhe IT, 22% në degët e Mjekësisë dhe Inferimieri dhe mbi 16 % degët e Ekonomikut. Degët me konkurs si Arkitektura do të shënojnë bum kërkesash por testimi do të bëhet brenda 25 gushtit', u shpreh kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar Arjan Xhelaj.
Aplikimet në universitet
30 korrik deri në 04 gusht bëhet aplikimi për në raundin e parë në portalin U-Albania. Fituesit shpallen brenda datës 28 gusht.
30 gusht deri në 12 shtator bëhen 7 faza 48 orësh dhe regjistrimi në sekretari.
13 shtator është një datë që i dedikohet çregjistrimit.
15 shtator deri në 20 shtator bëhet aplikimi për në raundin e dytë në portalin U-Albania. Fituesit e kësaj faze shpallen brenda datës 25 shtator.
27 shtator deri në 6 tetor bëhet regjistrimi në sekretarinë mësimore, ndërsa data 7 tetor është e vetmja datë çregjistrimi.
09 tetor deri 13 tetor bëhet aplikimi për në raundin e tretë në portalin U-Albania.
15 tetor deri në 18 tetor bëhet aplikimi për maturantët jo fitues, ndërsa regjistrimet bëhen me 19-20 tetor.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.