Treg

BSH: Të rritet përdorimi i lekut në ekonominë reale!

Rritja e përdorimit të lekut në ekonominë reale shihet si një nevojë konkrete nga Banka e Shqipërisë.

Në mbledhjen e Grupit Këshillimor të Stabilitetit Financiar të martën është diskutuar mbi nevojën për identifikimin e veprimeve që synojnë rritjen graduale të përdorimit të monedhës vendase në sektorin real të ekonomisë.

Pasi përdorimi i lartë në ekonominë reale i valutave të huaja sipas BSH-së, ndikon në uljen e efektivitetit të politikës monetare;

*kufizon rolin e kursit të lirë të këmbimit si një stabilizues automatik në rastin e goditjeve makroekonomike, në kushtet e ndjeshmërisë më të lartë të subjekteve ekonomike ndaj luhatjeve të mëdha të kursit të këmbimit;

*cënon efektivitetin e politikës fiskale përmes rritjes së mundshme të kostos së shërbimit të borxhit dhe ndryshimit të padëshiruar të strukturës së tij;

*shoqërohet zakonisht me kosto për Bankën Qendrore në formën e kostos oportune për mbajtjen e një niveli relativisht më të lartë të rezervave valutore, si edhe për humbjen e të ardhurave, që shoqërojnë zëvendësimin e monedhës vendase nga ajo e huaj.

*rrit ekspozimin e sistemit financiar dhe të operatorëve ekonomikë, veçanërisht të atyre me pozicione të hapura valutore në bilanc, ndaj zhvillimeve të pafavorshme në kursin e këmbimit;

*shton rrezikun e kreditit dhe ndikon në aftësinë e sektorit bankar për të kryer ndërmjetësimin financiar dhe mbështetur rritjen ekonomike;

*ekspozon sistemin financiar ndaj rreziqeve të likuiditetit në valutë, në kushtet kur instrumentet e bankës qendrore për mbështetjen e likuiditetit në valutë, janë objektivisht më të kufizuara.

Përpos kësaj, Banka e Shqipërisë, e ka vlerësuar gjendjen financiare të sektorit bankar si pozitiv përgjatë 2018-ës.

Sipas BSH, tregjet financiare funksionuan normalisht, ku vëllimet e transaksioneve mbetën të qëndrueshme dhe normat e interesit mbetën në nivele të ulëta. Veprimtaria e sektorit bankar u zgjerua, pavarësisht efektit statistikor pakësues që dha mbiçmimi i kursit të këmbimit të lekut.

Ekspozimi i sektorit bankar ndaj rreziqeve të veprimtarisë, ishte i kontrolluar. Kreditë me probleme u pakësuan me gati 15 miliardë lekë, duke bërë që raporti i kredive me probleme të bjerë në nivelin 11.1%. Në rënien e këtij treguesi BSH shpjegon se ka ndikuar forcimi që vjen nga shlyerjet, duke kontribuar pozitivisht në rritjen e qëndrueshmërisë së trendit rënës së kredive me probleme.

Treguesit e rreziqeve të tregut nuk shfaqën ndryshime gjatë vitit, por mbetet i nevojshëm vlerësimi i kujdesshëm i ndikimit të tërthortë të kursit të këmbimit dhe të normave të interesit.

Aftësia e sektorit bankar për të përballuar rreziqet, vlerësohet e fortë në kushtet kur gjendja e likuiditetit është mjaft e mirë dhe kur veprimtaria bankare paraqitet fitimprurëse dhe e mirëkapitalizuar.

Në prezantim u evidentuan edhe ndryshimet strukturore që kanë ndodhur në sektorin bankar deri në tremujorin e parë të 2019-ës, të cilat janë shoqëruar me rritjen e kapitalit vendas në bankat e sektorit.

Krahas konsolidimit të sektorit bankar, ky zhvillim pritet të ndikojë pozitivisht në rritjen e kreditimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë