Ekonomi

Ikja e të rinjve detyroi bizneset të rrisin pagat. Po ngushtohet piramida e popullsisë

Nga Gazeta ‘SI’ - Mbi 50% e bizneseve në Shqipëri që janë anketuar nga Banka Qendrore, pranojnë se kanë rritur pagat për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, kombinuar me largimet në emigrim të punonjësve.

Këtë tregon raporti i fundit i Bankës së Shqipërisë, ku theksohet se largimi i të rinjve ka qenë ndër presionet kryesore mbi pagë, përpos inflacionit. BSH nuk tregon numrin e bizneseve të anketuara, por thekson se ato janë nga çdo sektor.

Vetëm 14-20% e bizneseve të anketuara deklarojnë se rritjet e pagave janë bërë për shkak të rritjes së performancës, stimulit në punë, eficiencës dhe mirëmenaxhimit.

Në vitet e fundit, BSH thekson se kontributet në ekonomi nga grupmosha 15-29 vjeç kanë kaluar në kahun negativ.

“Zhvillimet demografike do të bëhen një pengesë gjithnjë e më e mprehtë për zhvillimin ekonomik të vendit në afatin e gjatë. Popullsia në Shqipëri ka shënuar tkurrje të shpejtë gjatë dekadës së fundit. Rënia e popullsisë është ndikuar nga ulja e lindshmërisë, nga plakja e popullsisë, si dhe nga rritja e emigracionit. Këto tendenca janë përkthyer në një ngushtim të bazës së piramidës së popullsisë në vend dhe rritje të raportit të popullsisë në moshë të madhe ndaj asaj në moshë të re. Ndryshimet demografike kanë ndikuar edhe kompozimin e rritjes së forcës së punës dhe të punësimit sipas kontributeve nga grup-moshat”, thuhet në raport.

Në raport sinjalizohet edhe një rritje tjetër e inflacionit dhe kostove të prodhimit, pikërisht për shkak të mungesës së ofertës në tregun e punës, si në aspektin sasior dhe në atë cilësor.

Presionet për rritje pagash po vijnë drejt forcimit. Situata e mësipërme e tregut e punës në vend është shoqëruar me rritje pagash për të tërhequr fuqi punëtore të kualifikuar.

Këta faktorë kapin kontributin në rritje të tregut të shtrënguar të punës, rritjes së konkurrencës dhe më pak të produktivitetit të punës. Sipas bizneseve të vrojtuara rishikimi i pagave do të vijojë edhe gjatë vitit 2023, por me një rritje më të ngadaltë se një vit më parë.

Bizneset deklarojnë se faktorë me rëndësi të lartë për rritjet e pagave gjatë dy viteve të fundit kanë qenë rritjet e pagës minimale dhe inflacioni. Në të njëjtën kohë, faktorë të tjerë me rëndësi të lartë janë mungesa e ofertës së punës dhe, më pak, rritja e produktivitetit dhe eficiencës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë