Ngjarje

Edhe Ndriçim Xhepa “gris” alibinë e qeverisë në BE për shembjen e Teatrit

Në protestën e radhës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë publike një broshurë, që sipas anëtarëve të këtij grupimi, qeveria shqiptare ia kaparaqitur  komisionerit për Zgjerimin e BE-së Johannes Hahn.

“Kryeministri nuk e priste këtë dhe sajoi një justifikim duke prodhuar shpejt e shpejt një broshurë dhe nuk dyshoja te asnjë nga kolegët që kishin  shkuar te znj.Vllahutin, ku u paraqit ky dokument dhe,  duke e parë këtë dokument do të bindeni se qeveria kishte arsye për të falsifikuar,  mashtruar dhe fshehur. Qeverisë  i duhen emra për t’ia  shitur Brukselit si mbështetës të teatrit dhe vazhdon të jetë në sinkron të plotë me mediet e kontrolluar prej saj.”- tha regjisori Kastriot Çipi, ndërsa paraqiti një material video të përmbajtjes së broshurës me 33 emra aktorësh dhe regjisorësh teatri, duke theksuar, se citimet e tyre janë shkëputur duke u nxjerrë jashtë kontekstit, si rasti i aktorit Enver Petrovci, i cili e ka përgënjeshtruar lajmin e qarkulluar në media se është deklaruar pro shembjes së teatrit, rasti i çifti Pirro dhe Pavlina Mani që po ashtu e kanë përgënjeshtruar pretendimin që i lidhte ata me qëndrimin për të shembur godinën aktuale të Teatrit Kombëtar apo aktorja Esmeralda Metka, e cila e ka përgënjeshtruar në një postim në Instagram.

Nga Broshura që Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë publike dje. 

Më herët, regjisori Çipi, ka nisur drejt redaksisë së gazetës “Si”  disa fotografi  të kësaj broshure, ku në një prej tyre ishte edhe një deklaratë e aktorit Ndriçim Xhepa,  që ka qarkulluar edhe në media disa ditë më parë, nga një intervistë që ai ka dhënë për gazetën Panorama në muajin shkurt të këtij viti, ku  ku aktori mendohet se është shprehur përse godina aktuale duhet prishur dhe aty duhet ngritur një godinë e re, në të cilën të ruhen me fanatizëm vlerat e teatrit të vjetër.

I kontaktuar  nga gazeta “Si” rreth kësaj broshure dhe deklaratës së tij, aktori Ndriçim Xhepa tha se nuk është shprehur as për shembjen as për ruajtjen, as për ta bërë muze apo për ndërtimin e një godine  të re dhe as ka qenë i pranishëm në protestat në oborrin e Teatrit Kombëtar.

Ai thotë se pas pushimeve ndërsa po rikuperohet nga  ana shëndetësore, “nëse fjala ime do të ketë interes në këtë çështje”,  që sipas tij është bërë e pakëndshme -  "do të shprehem gjatë në një intervistë të plotë në media rreth pozicionit tim". Por deri atëherë, thotë Xhepa, dua të sqaroj të gjitha keqkuptimet që ngrihen në emrin tim. “Nuk e mendoja që do të merrte përmasa kaq jo të bukura një çështje si e teatrit, e cila i përket artit dhe do kishte qëndrime kaq antagoniste.”

Ai hedh poshtë edhe njëherë çdo fjalë thënë në emër të tij dhe mohon të jetë prononcuar publikisht mbi çështjen. Sipas regjisorit Çipi kjo broshurë mbahet ende sekret nga qeveria shqiptare, ndërsa Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit i ka rënë në dorë një kopje, të cilën e publikuan në protestën e djeshme.

Ndërkohë, aktori Enver Petrovci ka thënë për BIRN-in më herët se është keqpërdorur një përgjigje e tij për një gazetare, e cila nuk i ka bërë të ditur emrin e medies që përfaqësonte dhe e ka pyetur aktorin nëse i nevojitej një teatër i ri. Ndërsa Petrovci ka qenë i idesë se Tiranës i nevojitet një teatër, ai ka mohuar se është shprehur për shembjen e teatrit aktual.

Edhe çifti Pirro dhe Pavlina Mani në një intervistë nga ShBA për gazetën “Shekulli” kanë mohuar se kanë firmosur ndonjë dokument ku bien dakord për shembjen e godinës së teatrit. Mes emrave të përfshirë në këtë broshurë janë aktorët Robert Ndrenika, Alfred Trebicka, Luftar Pajo, Arben Derhemi, Altin Basha, Artan Imami, Elia Zaharia, Ema Andrea, e të tjerë, emra të cilët ditën e mërkurë të 24 korrikut kanë firmosur në peticionin drejtuar presidentit të Republikës Ilir Meta, ndërsa i kërkonin me urgjencë nevojën për ndërtimin e një godine të re për Teatrin Kombëtar.

Roza Anagnosti: Jam për rikonstruksionin e teatrit, nuk shtyhem nga asnjë parti

Aktorja Roza Anagnosti, e pranishme gjatë protestës së djeshme në oborrin e Teatrit Kombëtar, ka thënë se i qëndron idesë së  rikonstruksionit të teatrit. “Vendi ka nevojë për një teatër klasik. Është teatri i Butrintit, Apollonia, Durrësi... këtu është teatri klasik.  Le të bëhet edhe një teatër i ri modern.” –ka  thënë aktorja, ndërsa ka sqaruar për të pranishmit se nuk është shtyrë nga asnjë parti politike për qëndrimin e saj, pasi kurrë nuk ka aderuar në një të tillë. “Partia ime ka qenë arti im. Nuk jam e shtyrë nga askush, veç nga ndjenja ime, sinqeriteti dhe përgjegjësia e profesionit tim. Këtu është kultura, historia, identiteti, emocioni, shpirti njerëzor.”- tha ajo, ndërsa  theksoi se prej pesëdhjetë vitesh është ngjitur dhe ka interpretuar në skenën e Teatrit Kombëtar.

“Dua të falënderoj inxhinierë, ambientalistë, juristë, dashamirë, artistë, njerëzit e medies, kolegët e mi të vjetër dhe të rinj, të mrekullueshëm, që nesër këta kolegë të ri do të bëhen edhe më të mirë se ne,  por u duhet dhënë  mundësia” –tha  ajo, ndërsa shtoi se vlerat e teatrit qëndrojnë brenda dhe jashtë godinës,

“Jam dëshpëruar jashtë mase atë ditë që u bë votimi në parlament, sepse si artiste, me karakteret e mi, emocionet, dhe komunikimin direkt nuk mendoj kurrë  “i majtë” dhe “i djathtë”.  Për  mua janë publik, bashkëpunëtorë të mrekullueshëm. Nuk   mund të ketë dallim, në kutinë e votimit të shkojë secili e të japë preferencën e tij, këtë mendim kam.” Anagnosti tha se duhet marrë në konsideratë fjala e atyre njerëzve që protestojnë sot kundër shembjes së teatrit, pasi janë aty me argumente.

“Siç  thotë edhe arkitekti,  teatri është i bukur dhe sa herë që vij më duket edhe  më i bukur në vjetërsinë e tij. Edhe nëse rikonstruktohet kemi nevojë për një teatër klasik.  Nuk  mund të prishet një teatër.” Anagsnosti tha se aktorët duhet të jenë edhe patriot. “Për gjuhën shqipe ne kemi dhënë shumë në atë skenë, për unifikimin e gjuhës kemi dhënë shumë dhe e kemi bërë ta duan më shumë shqiptarët, në mënyrën sesi interpretojmë dhe e  theksojmë, për të mos folur për emocionet.” Teatri, shtoi Anagnosti i ka dhënë publikut kryeveprat botërore “ në kushte ku dikush nuk ka  pasur  mundësi t’i lexojë, por ka ardhur e i ka parë.”

Duke cituar Shekspirin se bota është skenë dhe njerëzit të gjithë janë aktorë, Anagnosti e mbylli fjalën e saj duke thënë se më shumë sesa armiqësia mes palëve të krijuara, duhet marrë një mendim i drejtë dhe se indiferentizmi do të ishte gabim i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë