Mendim

Britania në “zi buke” pas daljes nga BE-ja?!

Britania e Madhe ka të ngjarë të zhytet në një krizë të thellë ekonomike dhe mungesë të mallrave bazë pas daljes nga Bashkimi Europian më 31 tetor.

Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga gazeta “Sunday Times” Britania do të përballet me mungesa të mëdha të karburantit, ushqimit dhe ilaçeve nëse largohet nga Bashkimi Evropian pa arritur një marrëveshje paraprake mbi tregtinë e lirë, apo kufijtë me vendet anëtare.

Duke parashikuar mbylljen e porteve, rritjen e protestave publike dhe përçarje, gazeta tha se ky skenar ishte përpiluar nga Kabineti i Kryeministrit. Sipas këtij dokumenti, këto pritet të jenë pasojat më të mundshme të një Brexit pa marrëveshje por jo skenari më i keq i mundshëm

Por Michael Gove, ministri përgjegjës për Brexit e kundërshtoi këtë interpretim, duke thënë se dokumenti paraqiste një skenar të rastit më të keq.

Kryeministri britanik Boris Xhohnson, Gazeta Si, 19 gusht 2019

Times tha se deri në 85% të kamionëve që kalojnë në Kanalin Anglez mund të bllokohen nga doganat franceze, duke çuar në mbylljen e porteve për më gati deri në tre muaj. Qeveria gjithashtu beson se vendosja e një kufiri më të fortifikuar midis provincës britanike të Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës, një vend anëtar i BE-së, do të jetë opsioni më i mundshëm pas daljes nga unioni.

"E përpiluar këtë muaj nga Zyra e Kabinetit nën emrin e koduar ‘Operacioni Yellowhammer’, dosja ofron një vështrim të rrallë mbi planifikimin e fshehtë të qeverisë për të shmangur një kolaps katastrofik në infrastrukturën e vendit pas daljes pa një marrëveshje nga unioni euroian" raporton Times.

Zyra e kryeministrit Boris Xhohnson nuk ka pranuar të komentojë dokumentet e publikuara në media, por Gove tha se ky që ishte një dokument i vjetër që nuk pasqyronte gjendjen aktuale.

"Siç e dinë të gjithë, nëse largohemi nga Bashkimi Europian pa arritur një marrëveshje, në mënyrë të pashmangshme do të ketë ndërprerje të përkohshme të kalimit të mallrave. Kjo është arsyeja pse ne duam arritjen e një pakti paraprak, "u tha Gove gazetarëve. "Por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është shumë më e përgatitur tani sesa ishte në të kaluarën, dhe është gjithashtu e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë ajo që përshkruhet në këto dokumente është një skenar i rastit më të keq," shtoi Gove .

Një burim qeveritar fajësoi për rrjedhjen në media të këtij dokumenti një ish-ministër i cili dëshironte të ndikonte në negociatat me BE-në.

S’ka kthim pas

Mbretëria e Bashkuar po shkon drejt një krize kushtetuese dhe një përballje me BE-në pasi Xhohnson është zotuar vazhdimisht të largohet nga blloku europian më 31 tetor pa arritur një marrëveshje.

Kamionët bllokohen ne trafik për në Portin e Doverit, Britani. Gazeta Si, 18 gusht 2019

Megjithatë, pas tre vjetësh negociatash mbi Brexit, BE-ja ka refuzuar vazhdimisht të hartojë një marrëveshje të dytë divorci, pasi marrëveshja e arritur nga Brukseli dhe ish-kryeministrja Theresa May nuk është pranuar nga parlamenti britanik.

Ministri Gove tha ai kishte nënshkruar një pjesë të legjislacionit, i cili përcaktonte shfuqizimin e aktit të 1972 –shit, i njohur si ligji që e bëri Britaninë një anëtare të BE-së.

"Ky është një sinjal i qartë për njerëzit e këtij vendi që nuk ka kthim pas nga Brexit", deklaroi ai.

Një grup prej më shumë se 100 deputetësh britanikë i kanë kërkuar Xhonsonit të mbledhë në mënyrë urgjente parlamentin për të diskutuar situatën.

"Ne përballemi me një emergjencë kombëtare dhe deri më 31 tetor parlamenti duhet të gjejë një mënyrë që të ruajë kontrollin pas daljes nga unioni europian," thuhet në letër.

Xhohnson po vihet nën presion nga politikanët në të gjithë spektrin politik për të parandaluar divorcin pa arritjen e një marrëveshje, ndërkohë që lideri i opozitës Jeremy Corbyn zotohet të rrëzojë qeverinë e Xhohnson për të vonuar Brexit.

Sidoqoftë, është e paqartë nëse ligjvënësit kanë unitetin ose fuqinë për të përdorur parlamentin britanik për të parandaluar një largim nga unioni europian pa marrëveshje paraprake, lëvizje që ka të ngjarë të jetë vendimi më i rëndësishëm i Mbretërisë së Bashkuar që nga Lufta e Dytë Botërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë