Analize

Britania mbyll dyert për shqiptarët, kriteret e reja për emigrantët

Britania do të mbyllë kufijtë për të gjithë punëtorët e pakualifikuar dhe ata që nuk mund të flasin anglisht, duke shuar kështu shpresat e shumë shqiptarëve që ëndërrojë të jetojnë në ishull.

Qeveria e kryeministrit Boris Xhonson ka prezantuar të mërkurën një projektligj të ri për Emigracionin, që do t'i japin fund epokës së punësimit të fuqisë së lirë punëtore nga vendet jo anëtarë të BE-së në fabrika, depo, hotele dhe restorante.

Duke prezantuar sistemin e ri të emigracionit, i cili i përngjan “modelit australian”, qeveria tha se do të marrë "kontrollin e plotë" të kufijve "për herë të parë në dekada", pas “kaosit” të shkaktuar nga lëvizja e lirë e qytetarëve të BE-së.

Ligji i ri komplikon edhe më shumë situatën e shqiptarëve në Mbretërinë e Bashkuar, ku jetojnë më shumë se 35 mijë,  pasi qëndrimi që do të mbajë qeveria ndaj emigrantëve, sidomos atyre ilegalë, pritet të jetë shumë më i ashpër. Emigrantët shqiptarë janë shpeshherë edhe protagonistë të tabloidëve britanikë për trafikun e kokainës dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Sipas skemës së re të qeverisë, e ndërtuar në bazë të kritereve dhe pikëve, shqiptarët që duan të punojnë në Angli duhet të flasin anglisht dhe të kenë një ofertë pune të aprovuar. Nëse 2 kushtet e para plotësohen, ata fitojnë 50 pikë, por për marrjen  e vizës së punës kandidatët duhet të mbledhin 70 pikë. 

Britania mbyll dyert për shqiptarët, kriteret e reja për emigrantët, Gazeta Si, 2020

20 pikët e tjera, sigurohet nga kualifikimet, paga dhe puna duhet të jetë në një sektor ku ka mungesa në punonjës. Qeveria angleze, së fundmi i ka kërkuar punëdhënësve që në vend të punësimit të "punonjësve të thjeshtë", të investojnë në zhvillimin e teknologjisë së automatizimit.

Sipas qeverisë britanike, ky ligj do të sjellë "më të aftët dhe më të mirët" në Mbretërinë e Bashkuar. Por drejtuesit e bizneseve janë hedhur menjëherë në sulm, duke akuzuar qeverinë për një sulm ndaj ekonomisë duke paralajmëruar pasoja "katastrofale" dhe humbje të vendeve të punës dhe mbyllje të fabrikave.

Sidoqoftë, kryeministri Boris Xhonxon argumenton se ai po realizon Brexitin e kërkuar nga elektorati, duke deklaruar se ka ardhur koha që bizneset të heqin dorë nga fuqia punëtore e lirë nga vendet e Europës Juglindore dhe Ballkani.

Në projekt-ligjin për politikën e re të imigracionit thuhet se:

• Kufijtë e Mbretërisë së Bashkuar do të jenë të mbyllura për punëtorët e pakualifikuar dhe të gjithë emigrantët do të duhet të flasin anglisht.

• Kushdo që dëshiron të vijë në Mbretërinë e Bashkuar për të punuar, duhet të ketë një ofertë pune me një pagë prej të paktën 25.600 paund. Po ashtu do të pranohen edhe emigrantët me një pagash prej 20.480 paund në raste të veçanta kur mund të ketë mungesë të punëtorëve në sektorë të caktuar, siç janë azilet e të moshuarve.

• Nuk do të lejohet hyrja e personave të vetëpunësuar që vijnë për të punuar në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull si hidraulikët polakë ose ndërtuesit rumunë, që vijnë pa kontratë pune. Ky rregull prek në veçanti shqiptarët, që shkojnë të punojnë  në sektorin e ndërtimit.

• Kontrolli kufitar nuk do të pranojë më karta identiteti nga vende të tilla si Franca dhe Italia. Kjo, kuptohet, është një përpjekje për të shkualifikuar punëtorët nga vendet jo anëtare të BE-së që hyjnë në Britani me karta identiteti të falsifikuara ose të vjedhura.

• Shtetasit e huaj që duan të punojnë në Mbretërinë e Bashkuar duhet të jenë të kualifikuar. Përparësi kanë emigrantët e mirë-arsimuar dhe ata me aftësi të mëdha.

• E drejta e artistëve, prezantuesve, sportistëve dhe muzikantëve për të hyrë Mbretërinë e Bashkuar për të marrë pjesë në shfaqje, gara, ndeshje, festivale dhe koncerte do të ruhet.

Britania mbyll dyert për shqiptarët, kriteret e reja për emigrantët, Gazeta Si, 2020

Ky ligj do të hyjë në fuqi në janar të vitit të ardhshëm dhe synon ndër të tjera që qytetarët e BE-së do të trajtohen njësoj si shtetasit e tjerë. Sidoqoftë, ai po kritikon punëdhënësit, veçanërisht nga restorantet, që mbështeten tek emigrantët e pakualifikuar për shtimin punësimin e kamerierëve, por edhe bizneset në fushën e bujqësisë dhe ndërtimit, ku punojnë edhe shumë shqiptarë që jetojnë në Britaninë e Madhe.

Po ashtu, edhe përfaqësuesve të sektorit të industrisë paralajmëruan se ky ligj do të kishte një ndikim të madh në fabrikat e përpunimit të ushqimit që mbështeten shumë tek punëtorët nga vendet jo anëtare të BE-së.

Tom Hadley, drejtor i politikës në Konfederatën e Rekrutimit dhe Punësimit, tha se emigrantët që qeveria i konsideron si të pakualifikuar janë jetike për mirëqenien dhe rritjen e biznesit.

"Ne kemi nevojë për punëtorë që mund të na ndihmojnë të kujdesemi për të moshuarit, të ndërtojmë shtëpi dhe ta mbajmë ekonominë e fortë”, u shpreh ai.

Ndërkohë, përfaqësuesja e konfederatës së industrisë britanike Carolyn Fairbairn  paralajmëroi se në "disa sektorë, firmat do të përballeshin me krizën e rekrutimit të punëtorëve të nevojshëm.

"Me papunësi tashmë të ulët, firmat e kujdesit social, ndërtimit, prodhimit ushqimor, restorantet dhe bujqësia do të preken më së shumti," tha ajo.

Të dëmtuara pritet të dalin edhe hotelet që mbështeten tek punëtorët e pakualifikuar për pastrimin, stafin e kuzhinës, sigurinë dhe mirëmbajtjen.

Përfaqësuesja e Laburistëve, Diane Abbott, tha se kërkesa për emigrantët që të flisnin anglisht ishte thjesht një justifikim.

"Shumica e njerëzve që vijnë këtu për të punuar tashmë mund të flasin anglisht. Por a do të bllokojmë vërtet gjenitë e matematikës, anglishtja e të cilëve nuk është e shkëlqyer? Është çnjerëzore dhe e dëmshme", tha ajo.

Por duke qënë se ka shumicën në Parlamentin Britanik, qeveria mund të zbatojë pa problem politikën e saj të re. Projektligji i ri e emigracion pritet të mbërrijë në parlament në muajt e ardhshëm.

 Qeveria tha në një letër informuese se bizneset dhe punëdhënësit do të duhet të punojnë më shumë për të rekrutuar dhe mbajtur në punë punëtorë britanikë dhe jo emigrantë.

Lëshime të veçanta duket se do të bëhen për punëtorët sezonalë që korrin të mbjellat, por qeveria ka përcaktuar se do të mund të punësohen vetëm 10,000 punëtorë sezonalë, një shifër shumë e ulët në krahasim me kërkesa e Unionit Kombëtar të Fermerëve, që thotë se ka nevojë për 70,000 punëtorë në vitin 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë