Në kampionatin e fundit europian të Batumit në Gjeorgji, ai mori sërish një rezultat fantastik, me dy medalje argjendi dhe një të artë. Por, Briken Calja nuk është shumë i lumtur këtë periudhë edhe pse sukseset i ka historike. Peshëngritësi nga Cërriku ka shprehur gjithë indinjatën dhe pakënaqësinë e tij për mungesën e vëmendjes, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Në shkrimin e tij në facebook, Calja nuk kursen asnjë, duke filluar që nga mediet e deri të qeveria, që sipas tij nuk i kanë kushtuar rëndësinë e duhur edhe pse ai ka mbajtur lart flamurin kombëtar këto dy vite. Për mediet Calja thotë se nuk i kanë bërë jehonën e duhur sukseseve të tij.

Ndërsa kritikën më të ashpër e ka për qeverinë. “Po ju përcjell lajmin që akoma nuk kam marrë asnjë telefonatë apo mesazh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit apo qoftë nga ndonjë zyrtar i saj. As edhe një urim të thjeshtë! Zero! Mua si Briken kjo gjë nuk më duket normale, dhe nuk duket normale për asnjë person mesatar në nivelin e kuptueshmërisë.”- shkruan Calja. Më tej i indinjuar nga kjo që ka ndodhur, shtangisti nga Shtërmeni thotë se nuk e di se çfarë duhet të bëjë më një njeri që shpallet dy herë rresht kampion Europe.

Gjithsesi në fund të kësaj letre të hapur, ku i sulmon të gjithë, Briken Calja jep premtimin se do të vazhdojë të punojë për të nderuar flamurin shqiptar në çdo kompeticion ndërkombëtar. “Do të vazhdoj të derdh djersë e gjak për kombin tim, edhe pse i pa përkrahur aq sa duhet nga disa komponentët kyç që duhet të më gjenden pranë.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





