Njerez

Brexit, britanikët emigrojnë në BE

Në 2 vitet e fundit ka patur një rritje të numrit të shtetasve britanikë që kërkojnë shtetësinë e një vendi të Bashkimit Europian, ku më e lakmuar është pasaporta gjermane.

Në 2017, sipas të dhënave të siguruara nga BBC, janë plot 13 mijë britanikë që kanë marrë shtetësinë e 17 shteteve të ndryshme të BE-së. Pasaporta më e kërkuar ka qenë ajo gjermane, ku nga 594 raste në vitin 2015, fluturoi në 7500 kërkesa në vitin 2017.

Një prej atyre që ka siguruar këtë pasaportë është Paul Petty, nga qyteti Bath i Anglisë.

“Më duket sikur Europa po shkërrmoqet dhe unë personalisht dua të jem ende një qytetar i Bashkimit Europian”, thotë ai për BBC.

Analistët fajësojnë për këtë “braktisje” të Britanisë së Madhe referendumin e vitit 2016 dhe rezultatin që prodhoi ai, pra Brexit. Aplikantët britanikë druhen se do të humbasin shumë prej të drejtave që gëzojnë aktualisht si pjesë e BE-së dhe po i paraprijnë procesit të shkëputjes.

Franca qëndron direkt pas Gjermanisë si vendi më i preferuar prej britanikëve me një rritje pesëfish më shumë se viti 2016.

Pasaporta më e kërkuar është ajo gjermane

Pasaporta e një vendi anëtar të BE-së u garanton britanikëve të drejtën për të jetuar dhe punuar në të gjithë hapësirën e unionit, ndërkohë që ky privilegj mbetet ende i paqartë nëse do të ekzistojë pas Brexit apo jo.

“Me gjasa do të lëvizim në një tjetër vend të Bashkimit Europian për shkak të punës së bashkëshortit tim. Prandaj ne kemi aplikuar për shtetësinë italiane, si një garanci që ta vazhdojmë këtë”, thotë Lucy Hales, që jeton prej pesë vitesh në Itali.

BBC thotë se ka publikuar të dhënat e vetëm 17 vendeve anëtare të BE-së, ndërkohë që në vendet e tjera burokracitë e marrjes së një pasaporte kërkojnë më shumë afate kohore, por të dhënat paraprake flasin për një rritje të britanikëve që marrin dyshtetësinë, ose heqin dorë prej asaj britanike.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë