Bota

Brazil, një 59-vjeçar pro-Bolsonaros hedh veten në erë përpara Gjykatës së Lartë Federale

Gazeta Si- Një person vdiq duke u hedhur në erë si një kamikaz të mërkurën në mbrëmje përpara Gjykatës së Lartë Federale të Brazilit dhe disa bomba shpërthyen në të paktën dy vende në Praça dos Três Poderes, në qendër të Brazilias (kryeqyteti i Brazilit).

Ngjarja ndodhi një vit e dhjetë muaj pas sulmeve dhe grushtit të shtetit kundër selisë së Gjykatës, Kongresit Kombëtar dhe Pallatit Planalto të organizuara nga mbështetësit e ish-presidentit, Jair Bolsonaro.

Policia e identifikoi sulmuesin si Francisco Wanderley Luiz, 59 vjeç, një bravandreqës, i cili zotëronte një makinë të gjetur me disa eksplozivë aty pranë.

Ai kandidoi në zgjedhjet e vitit 2020 si këshilltar i Partisë Liberale të Bolsonaros, në qytetin e Rio do Sul, por nuk u zgjodh.

Gjykata e Lartë e Brazilit u evakuua dhe shumëkujt iu kujtuan menjëherë trazirat masive vitin e kaluar, kur “bolsonaristët” plaçkitën ndërtesat institucionale në një përpjekje për të parandaluar inaugurimin e presidentit të zgjedur Injacio Lula.

Prokurori i Përgjithshëm i vendit, Jorge Messias, dënoi atë që ai e quajti një sulm të qëllimshëm dhe premtoi se do të fillonte një hetim të plotë mbi shpërthimet.

Guvernatorja e përkohshme e Distriktit të Brazilias, Celina Leão, tha se sulmuesi fillimisht u përpoq të hynte në ndërtesën e Gjykatës së Lartë, pa sukses dhe më pas shkoi përpara statujës së Drejtësisë, ku u gjet trupi i tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë