Lojëra me Dore

Brajant “sponsorizon” tri femra: Të afta të luajnë me meshkujt në NBA!

Një deklaratë e bujshme për “Cnn” nga ish-kampioni i madh i Lejkërsave, Kobi Brajant, vajza 13-vjeçare e të cilit, Giana, bën mrekulli me topin e basketbollit. Ai mendon se shumë femra janë të afta të luajnë me meshkujt dhe citon tre emra konkretë, Elena Dele Done, Diana Taurasi dhe Maja Mour.

Gjatë intervistës për “Cnn” nuk pritej kjo përgjigje e prerë e Kobi Brajant. Ish-ylli i Los Anxheles Lejkërs është një nga ata që nuk i pëlqen të luajë me fjalët dhe opinionin e tij e shpreh shkurt dhe qartë. Ai është i bindur se një ditë vajza e tij mund të luajë në NBA, pasi është mjaft e talentuar. Videot e saj duke luajtur basketboll kanë mbushur që tani “YouTube”-in dhe lëvizjet e saj sigurisht që ngjajnë shumë me ato të të atit.

Elena Dele Done mund të luajë në NBA, sipas Kobi Brajant. Gazeta Si, 23 janar 2020

“Besoj se Giana do ta ketë atë mundësi, do të luajë në NBA. E them këtë sepse që tani dy apo tri femra janë gati të futen në NBA dhe të luajnë bashkë me meshkujt. Diana Taurasi, Maja Mur dhe Elena Dele Done besoj se janë në gjendje të ndeshen me meshkujt në parket”, - është shprehur Brajant. Diana Taurasi, 37 vjeç, zgjedhja e parë në vitin 2004, ka luajtur gjithmonë me Feniks, duke fituar 3 tituj. Maja Mur ka fituar 4 tituj me Minesotën, por në kampionatin e fundit qëndroi pushim për t’iu përkushtuar familjes. Elena Dele Done, 30 vjeç, luan me Çikagon dhe ka fituar titullin vitin e shkuar.

Janë të tria basketbolliste fenomenale dhe deklarata e Kobi Brajant është surprizuese, sepse në NBA fiziku dhe forca janë faktorë thelbësorë, përveç shpejtësisë dhe teknikës. Por, përderisa e thotë Brajant, shumë vajza të reja mund të ëndërrojnë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë