Politike

Braçe kërkon rishikimin e TVSh-së për fermerët: Skema e 2018-s dështoi

Duke komentuar të dhënat e INSTAT, që treguan në rënie të numrit të krerëve të bagëtive dhe të sasisë të qumështit të prodhuar në vend, deputeti Erion Braçe fajëson ndryshimet vitit 2018-të të skemës së rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.

Tre vite më parë, skema e rimbursimit të përpunuesve që produkteve blegtorale ndryshoi me ulje nga 20 për qind në 6 për qind me arsyetimin se agro-përpunuesit abuzonin përmes faturave fiktive dhe se këto para nuk përfundonin në xhepat e fermerëve të thjeshtë, përmes çmimit të blerjes së këtyre produkteve nga ana e grumbulluesve dhe përpunuesve.

Braçe i cilëson sot ato ndryshime si fajtoret kryesore të rënies si të numrit të punonjësve në bujqësi, të numrit të krerëve të bagëtive dhe të sasisë së prodhimit. Ish-zv.kryeministri i referohet faktit se rimbursimi i TVSh-së për produktet e para të importit në këtë sektor është 20 për qind në 20 për qind, ndërsa për prodhimet vendase është vetëm 6 për qind nga 20 për qind.

Sipas tij, lehtësitë e tjera fiskale, si tatim-fitimi zero, nafta pa taksa, TVSh zero për inputet bujqësore dhe tatimi mbi të ardhurat zero nuk po mjaftojnë.

“Përpunuesit humbin para nëse përpunojnë prodhimin vendas. Nuk humbin para të sjellin qumështin nga Maqedonia, kosova, Bosnja, Serbia. Nuk humbin para të sjellin mishin nga Argjentina, Brazili. Nuk humbin para të sjellin ullirin nga Greqia, të sjellin perime për konservim nga cilido vend i botës. TVSh ka regjimin 20 me 20 për qind në rastet e importit të lëndës së parë për përpunim”, deklaron Braçe.

Deputeti kërkon që të ndërhyhet sa më shpejt dhe ky regjim të ndryshojë.

“Ky problem po plak krahun e punës në bujqësi. Të rinjtë duan të ardhura të përmuajshme dhe ato po bien. Kjo nuk është çështje sindikatash që paguajnë një grusht jo bujqish të derdhin ushqim në rrugë! Sindikata banale kërkon rikthimin e skemës që të rinisë biznesin e faturave false, grabitjes së shtetit e bujkut, grabitje që i ka bërë të pasur dhe politikanë, politiqenë në fakt edhe për një arsye, që nuk i hetoi kush në herë të vetme. Kjo është çështje e Partisë Socialiste. Regjimi i TVSh në fshat, prodhim, grumbullim, përpunim, eksport duhet të ndryshojë tani dhe duhet ta ndryshojë PS”, shkruan Braçe.

Vendimi për uljen e rimbursimit të TVSh-së për fermerët u mor në 2018, gjatë diskutimeve të paketës fiskale të vitit 2019.

“TVSH-në e inputeve do ta bëjmë nga 20 në 6% do të ulim po ashtu edhe TVSh e rimbursueshme që kryesisht e kanë përfituar grumbulluesit, që kanë mungesë respekti për skemën pasi nuk e kanë ndarë me fermerët”, deklaronte në atë kohë Kryeministri Edi Rama.

Ndryshimi shkaktoi protesta të fermerëve, ndërsa detyroi grumbulluesit që të zgjidhnin mes dy rrugëve, ose të rrisnin çmimin në treg, ose të ulnin çmimin e blerjes së produkteve bujqësore e blegtorale vendase. Si shembull, për një litër qumësht, të blerë nga fermerët shqiptarë, grumbulluesit rimbursoheshin nga qeveria me 20 lek, por me ndryshimin e bërë, ata përfitonin 14 lekë më pak.

Dështimin e skemës e pranoi në 2020 Bledi Çuçi, në atë kohë ministër i Bujqësisë duke folur gjatë një seance të Komisionit të Ekonomisë së Kuvendit, ku tha se skema e rimbursimit të qumështit ka dëmtuar dhe vijon të dëmtojë fermerët në vend.

“Kjo ishte një masë e domosdoshme dhe që në fakt korrektonte disa gjëra që po ecnin keq, në kuptimin e abuzimit, por për prodhuesit ishte një masë që i penalizoi ata dhe vijon t’i penalizojë. Skema për rimbursimin 20% po kthehej në abuzive dhe sidomos tek sektori i fruta perimeve. Sektori i qumështit është më i ndjeshmi dhe kërkon me të drejtë që të rivendoset edhe një herë jo domosdoshmërish TVSH e rimbursueshme 20 për qind por të jetë e barabartë me atë që e shesin, pra të jetë 6 për qind në blerje dhe po aq edhe në shitje. Është një instrument i diskutuar edhe në qeveri dhe për pjesën e qumështit ne duhet ta rishikojmë”, sqaroi deklaronte Çuçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë