Lojëra me Dore

Botërori i Kinës/ Surpriza në çerekfinale, Franca rrëzon Amerikën nga froni

Mbretëria e Amerikës në basketbollin botëror ka rënë zyrtarisht. Franca ka eliminuar në çerekfinale skuadrën e Popoviç nga Botërori i Kinës. Një fitore surprizë, 89-79, e ndërtuar nga talenti dhe fiziku i Rudi Gobert, me 21 pikë dhe 16 ribaunde. Kjo ishte surpriza e dytë e madhe e Botërorit, pas eliminimit të Serbisë nga Argjentina, kundërshtari i Francës në gjysmëfinale. Amerika është për herë të parë jashtë podit që nga viti 2002, kur u eliminua në çerekfinale nga Jugosllavia. Gjysmëfinalja tjetër është Spanjë-Australi.

Fitorja e Francës ndaj Amerikës ka fytyrën e Gobert, të cilin skuadra e Popoviç nuk mundi kurrë ta ndalte. Nuk e ndali as Majls Tërner, qendra e Jutah Xhez, që fitoi çmimin mbrojtësi më i mirë në NBA, dhe as Lopez dhe Plamli, dy qendrat e tjera. Amerikanët ishin të pafuqishëm poshtë koshit të tyre, por Gobert dominoi edhe në anën tjetër të fushës, me 16 ribaunde. Evan Furnier, me 22 pikë, tregoi një formë shumë të mirë, ashtu si dhe Frank Ntilikina, një luftëtar në parket. Në këtë ndeshje skuadra amerikane tregoi limitet e saj, që në fakt ishin parashikuar para kompeticionit. Amerika pësoi humbjen e parë pas 58 ndeshjes zyrtare.

Rudi Bobert, më i miri pë Francën ndaj Amerikës. Gazeta Si, 12 shtator 2019

Pikët e Furnier dhe dominimi i Gobert e futën në konfuzion Amerikën, që shkaktonte faulle të panevojshme. Miçell ishte i vetmi nga lojtarët e Popoviç që ishte i përqendruar dhe me 14 pikë në periodën e tretë e kaloi Amerikën përpara, 66-63. Në fillim të periodës së katërt, Gobert u rikthye fuqishëm dhe përmbysi gjithçka. Miçhell dhe Uollker tentuan të rindiznin shpresën, por ishte e pamundur dhe Franca me meritë ka kaluar në gjysmëfinale, ku do të përballet me Argjentinën. Australia ka eliminuan Çekinë dhe do të diskutojë kalimin në finale ndaj Spanjës, me këtë të fundit favorite.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë