Lojëra me Dore

Botërori i Kinës/ Amerika pa fenomenë, por yllin e ka në stol

Katër miqësore të vërteta, humbja e parë pas 13 vitesh dhe një seri refuzimesh kanë bërë që trajneri Greg Popoviç t’i përzgjedhë 12 lojtarët e tij për në Botërorin e Kinës i kushtëzuar nga kjo situatë dhe jo nga talenti. Përgatitjet para Botërorit kanë thënë shumë gjëra për kombëtaren amerikane të basketbollit të meshkujve dhe rolin e saj, duke nisur nga e shtuna. Ja disa nga konkluzionet për atë që, sido që të shkojë, do të jetë skuadra për t’u mundur.

Trajneri Greg Popoviç është pika më e fortë e skuadrës. E kotë të shohësh përreth, yllin këtë radhë amerikanët e kanë në stol. Kjo është përvoja e parë e Popoviç si trajner i kombëtares dhe ai e ndjen shumë përgjegjësinë. Zëvendësi i tij është Stiv Kerr, por në stol janë edhe Loid Pirs dhe Xhei Rajt. Nga stoli amerikanët duhet të ndërtojnë strategjinë e tyre për medaljen e artë, duke nisur nga ndeshjet në grup. “Pop është përcaktues dhe do të na çojë te fitorja”, - ka thënë Bruk Lopez. Zakonisht, trajneri Popoviç është vërtet një garanci.

Donovan Miçell në një veprim spektakolar. Gazeta Si, 27 gusht 2019

Amerika do të paraqitet në Botërorin e Kinës me një skuadër pa fenomenë në parket. Lojtarët më të mirë kanë qëndruar në shtëpi. Popoviç ka vetëm 4 nga 35 lojtarët që kishte përfshirë në listën e tij pasi mori drejtimin e kombëtares. Në atë listë ishin edhe emra si LeBron Xjhejms, Kurri, Leonard dhe Durant. Veç këtyre, mungojnë edhe shumë emra të tjerë si Xhejms Harden, Antoni Devis dhe Damian Lilard. Për herë të parë që nga viti 1998, lojtari më i mirë i Botërorit nuk është një amerikan, por një grek, Janis Antetokounmpo.

Ekipi amerikan i basketbollit të meshkujve e ka humbur statusin e pathyeshmërisë dhe të pretendentit kryesor për titull. Kjo vjen për faktin e thjeshtë se mungojnë lojtarët më të mirë, si dhe nga humbja kundër Australisë, e para që nga viti 2006. Ndryshimi është se në krahasim me edicionet e fundit, shumë skuadra nuk ndihen të mundura ende pa filluar ndeshja ndaj kampionëve në fuqi. Sigurisht, skuadra e Popoviç është e vetmja në Kinë me 12 lojtarë nga NBA-ja në përbërje, por ka treguar se është e thyeshme, kështu që Serbia apo ndonjë tjetër mund të përfitojnë.

Trajneri Popoviç në stërvitje me ekipin. Gazeta Si, 27 gusht 2019

Siguritë e trajnerit Popoviç në skuadër janë Kemba Uollkër, Donovan Miçell dhe Miles Tërner. Këta formojnë treshen kryesore të kombëtares amerikane. Ylli i ri i Bostonit është një pikë referimi në regji, talenti i Jutah duhet të korrigjojë shënjestrën, por ka treguar personalitet, kurse qendra e Indiana ka dominuar në lojën afër tabelës dhe ka vërtetuar se mund të jetë një nga ata që e shfrytëzojnë Botërorin si pikën e kthesës në karrierën e tyre. Pjesa tjetër e skuadrës mbetet për t’u parë, pasi trajneri Popoviç ende nuk ka vendosur përfundimisht. Ai ka zgjedhur një sistem loje me një organizator dhe me lojtarë që kanë aftësi të mira në lojën mbrojtëse.

Amerika do të përpiqet ta fitojë Botërorin me një mbrojtje të fortë. Është reparti më i vështirë për t’u ndërtuar, sepse bazohet në lojtarë të një grupi të modifikuar. Trajneri Popoviç e di mirë dhe vazhdon të theksojë se ka bërë një punë të madhe dhe se ka ende për të përmirësuar. Nga ajo se çfarë do të arrijë të ndryshojë do të varet diferenca mes medaljes së tretë të artë radhazi dhe një dështimi të bujshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë