Lojëra me Dore

Botërori i Kinës/ Amerika fiton të parën, por Serbia është më lart

Ndeshjet e para të Botërorit të Kinës kanë shkuar sipas parashikimeve, skuadrat pretendente kanë fituar, duke dhënë edhe një ide se kush ka më shumë shanse për titullin kampion. E gjitha vëmendja ka qenë te kampionët në fuqi, Amerika, që mundi Republikën Çeke 88-67. Trajneri Popoviç, edhe pse nuk ka në dispozicion versionin më të mirë të NBA-së, kishte më shumë alternativa se kundërshtari. Çekët ishin të rrezikshëm vetëm me Satoranskin.

Vetëm 5 minuta kohë iu deshën kombëtares amerikane për të kuptuar si do ta dominonte kundërshtarin dhe më pas kontrolloi gjithçka. Skuadra e Popoviç nuk impresionoi në ndeshjen e parë, por nuk ishte nevoja ndaj një kundërshtari modest. Kemba Uollkër, me 13 pikë dhe 4 asiste, ishte truri dhe fari i kampionëve në fuqi, që kishin shumë alternativa. Donovan Miçell shënoi 16 pikë, Herrison Barns 14 dhe Xheizon Tatum 10. Amerikanët e rritën lojën gjatë ndeshjes, pasi kapiteni Uollkër gjeti mënyrën për t’i frymëzuar shokët e skuadrës. Popoviç mund të jetë i kënaqur me paraqitjen e të tijve në ndeshjen e parë.

Nga ndeshja mes Amerikës dhe Republikës së Çekisë. Gazeta Si, 2 shtator 2019

Ndeshjet e para i kanë fituar edhe skuadrat e tjera pretendente në Botëror, si Spanja, Kina, Franca, Gjermania, Lituania, Italia dhe Greqia, por një mesazh të fortë ka dhënë Serbia, që sipas specialistëve ka diçka më shumë edhe se Amerika. Serbët kanë shënuar 105 pikë në ndeshjen e parë me Angolën, por më shumë se rezultati ishte loja e një niveli të lartë që i bën ata të jenë kërcënimi kryesor për t’u marrë kurorën amerikanëve. Bogdanoviç shënoi 24 pikë, kurse Milutinov dhe Jokiç nga 14 pikë. Italia është ekipi që ka shënuar më shumë pikë në ndeshjen e parë, 108, më pas vijnë Serbia me 105, Brazili me 102, dhe Spanja e Lituania me nga 101.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë