Shendet

Bota tani ka mjekë më të përgatitur: S’përdoret e njëjta mënyrë trajtimi për pacientët Covid

Gjatë kësaj periudhe të lodhshme nga Covid-19, kemi parë tipologji të ndryshme të shfaqjes së virusit dhe përjetimit të pacientëve. Ka ndodhur me qindra herë që pacientët të kenë të njëtat simptoma por sistemi imunitar i tyre të mos funksionojë njëlloj.
Mjekët që kanë trajtuar pacientë me koronavirus që nga ditët e para, tashmë janë më të përgatitur për të përballuar një rritje të rasteve të shtrimeve nëpër spitale, me prova mbi ilaçet që përdorin dhe një sërë studimesh për të gjetur trajtimin e duhur. Disa mjekë në SHBA thanë se tani e mendojnë Covid-19 si një sëmundje dyfazore. Së pari ata synojnë të luftojnë vetë virusin me ilaçe antivirale dhe pastaj të adresojnë kaskadën e problemeve të shkaktuara nga reagimi imunitar zakonisht i madh. Mjekët gjithashtu thanë se po mësonin se si të përshtatnin trajtimet për secilin pacient.
"Ne kemi ndaluar së përdoruri një mënyrë trajtimi për të gjithë,” tha Roger Shapiro, një profesor i imunologjisë dhe sëmundjeve infektive në Harvard, Shkolla Chan e Shëndetit Publik i cili ka trajtuar pacientët me Covid-19 gjatë gjithë pandemisë.
Ai ndihmoi në hartimin e udhëzimeve për përgjigje Covid-19 në Qendrën Mjekësore “Beth Israel Deaconess” në Boston në ditët e para të pandemisë, kur strategjitë e trajtimit të bazuara në prova nuk ekzistonin ende.
“Protokollet e hershme të trajtimit në shumë spitale përfshinin ilaçin antimalaria hidroksiklorokinë, e cila më vonë u zbulua se nuk ishte e dobishme. Hapa të tjerë përfshinin përdorimin e antikoagulantëve për të ndihmuar pacientët të shmangin mpiksjen e gjakut, por pa konstatuar saktësisht se si ndikonin,” tha Shapiro.
Mjekët tani informohen nga studimet të sakta gjithë bota, provat klinike dhe përcaktimet klinike për medikamente të caktuara. Trajtimet premtuese për pacientët e shtruar në spital përfshijnë remdesivirin antiviral dhe plazmën e rikuperimit. Steroide të tilla si dexamethasone kanë dhënë prova të jenë më efektive në anashkalimit të mbitensionit të sistemit imunitar. Më 9 nëntor, FDA autorizoi përdorimin e një ilaçi antitrupash të zhvilluar nga Eli Lilly & Co. për të trajtuar njerëzit me Covid-19 në fazat e tij të hershme, duke krijuar një mundësi që pacientët të mos shkojnë menjëherë në spital.

Kardiologu Jeffrey Bander në sistemin shëndetësor Mount Sinai në New York bëri thirrje nga kolegët në Arizona se nëse pacientët shkojnë në një numër të paktë në spital dhe vetëm kur e kanë vërtet të nevojshëm është më thjeshtë për mjekët se sa kur vijnë të gjithë menjëherë dhe nuk dihet se kush është më rëndë e kush është më lehtë.
Për të kuptuar më mirë nëse dhe si funksionojnë trajtimet në zhvillim, ekspertët e shëndetit publik, spitalet dhe mjekët po monitorojnë se sa ndikon kohëzgjatja e trajtimit të pacientëve në spitale. Diçka tjetër thelbësore që mjekët përcaktojnë është se tashmë kanë ndryshuar qasje edhe për oksigjenimin, sepse nuk i vendosin pacientët menjëherë në oksigjen sa shkojnë në spital.
Mjekët thonë se për më të sëmurët që kërkojnë ventilim, spitalet po zgjerojnë përdorimin e teknologjisë për të monitoruar ata pacientë. Ndër të tjera ata shtojnë se shumë gjëra mbeten të panjohura dhe se trajtimet vazhdojnë të evoluojnë. Studiuesit ende po mësojnë për efektet e Covid-19 në të gjithë sistemin imunitar , duke përfshirë mpiksjen e gjakut, lodhjen, problemet mendore dhe dëmtimin e veshkave. Sëmundja ka provuar se shkakton dëme të pakthyeshme edhe tek njerëz që kanë qenë tërësisht të shëndetshëm.
Ben Daxon, një mjek i kujdesit intensiv në Mayo Clinic në Rochester, tha se pacientët mund të përfitojnë nga trajtimi, por gjithashtu mund edhe të dëmtohen. Sipas mjekut provat ekzistuese tregojnë se ka disa përfitime nga oksigjenimi, por ka edhe prova që oksigjenimi deri më tani është përdorur në një mënyrë e gabuar.
Një mbrëmje, ndërsa pacienti përpiqej të merrte frymë, Daxon tregon se i dha letër për të shkruar. Ai shkroi fjalën "i frikësuar". Mjeku tregon se u ul afër tij duke i treguar një histori dhe më pas pacienti i kishte shkruar se “unë po marr frymë normalisht tani” ndërkohë që niveli i oksigjenit ishte i njëjtë gjithë kohës.
Sipas tij, pjesa e oksigjenimit ka të bëjë jashtëzakonisht shumë në shëndetin mendor të pacientëve. Pikërisht për këto dhe një sërë arsye të tjera mjekët shpjegojnë se janë më të përgatitur për të përballur virusin edhe pse nuk përjashtojnë që mund të kenë surpriza të pakëndshme.
Burimi: The Wall Street Journal. Përktheu: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë