Analize

Bota ka një problem serioz me udhëheqësit shumë të plakur

Nga Gazeta 'Si'-Shkrimtari i famshëm britanik William Shakespeare, u shpreh dikur me këto vargje:

E gjithë bota është një skenë,

Dhe të gjithë burrat dhe gratë janë thjesht aktorë;

Ata hynë dhe dalin në të;

Dhe një njeri në jetën e tij luan shumë role,

veprat e tij shtrihet në 7 faza të jetës.

Gjatë viteve 1798-1801, artisti Robert Smirke i përshkroi “7 fazat e jetës së njeriut” në një seri pikturash. Marrim në analizë 3 të fundit. Me përfitimin e përvojës, faza e pestë e jetës së njeriut sipas Shakespeare, karakterizohet nga mençuria dhe maturia. Pra kemi të bëjmë me një udhëheqës të natyrshëm.

Por më pas gjërat nisin të degradojnë. “Pantaloon” (Njeriu me poture, një nofkë nënçmuese e shekullit XVI-të për një burrë në moshë të thyer), nis të humbasë mprehtësinë e tij fizike dhe mendore. Shakespeare e përshkruan fazën e shtatë dhe të fundit, pleqërinë, si “një fëmijëri të dytë dhe si një kohë të harresës”.

Bashkëkohësit e shkrimtarit përjetonin dalje të papritura nga skena. Luftërat, sëmundjet dhe mungesa e mjekësisë moderne, nënkuptonin që shumë sundimtarë vdiqën në kulmin e pushtetit të tyre. Por sot, vetë sundimtarët tanë vazhdojnë të udhëheqin deri në fazat e parafundit dhe madje të fundit të jetës së tyre.

Shembujt janë të shumtë. Për shembull, marrim rastin e presidentit amerikan Joe Biden, që në moshën 81-vjeçare po shfaq gjithnjë e më shumë shenja të humbjes së kujtesës por edhe të gjithë aspekte negative që sjell me vete pleqëria.

Të enjten e kaluar, këshilltari i posaçëm Robert Hur publikoi raportin e tij mbi keqpërdorimin e dokumenteve të klasifikuara nga presidenti aktual, duke vënë në dukje se gjatë intervistave Biden “nuk i kujtohej koha kur ishte zëvendëspresident”. Madje ai nuk mbante mend as kohën kur vdiq djali i tij Beau.

Kujtesa e tij dukej e turbullt edhe kur fliste mbi çështjen e Afganistanit, që dikur ishte kaq e rëndësishme për të. Hur e përshkruan presidentin e SHBA-së si “një të moshuar babaxhan, ​​me qëllime të mira. por me një kujtesë të dobët”.

Në kundërpërgjigje të raportit të Hur në një konferencë shtypi të enjten e kaluar, Biden mund të ketë vërtetuar pjesën e parë të përshkrimit (që ai është një i moshuar babaxhan), por nuk mundi të rikthente besimin tek opinioni publik mbi gjendjen e tij mendore.

Ai ngatërroi presidentin e Egjiptit me atë të Meksikës. U përhumb fare kur përshkroi rruzaret që i dha djali i tij i ndjerë, dhe tha “media” kur donte të thoshte “publiku”, dhe kjo pikërisht në momentin kur deshi të hidhte poshtë pretendimin e një gazetari se votuesit janë të shqetësuar për moshën e tij të madhe.

Dhe shqetësimet e publikut nuk mund të shpërfillen me lehtësi. Në një sondazh të fundit të televizionit amerikan NBC, 76 për qind e votuesve thanë se kishin shqetësime të mëdha (62 për qind) ose të moderuara (14 për qind), nëse Biden gëzon shëndetin e nevojshëm mendor dhe fizik për të qenë president për një mandat të dytë.

I njëjti sondazh zbuloi se 48 për qind e votuesve, raportojnë shqetësime të mëdha (34 për qind) ose të moderuara (14 për qind) për 77-vjeçarin Donald Trump. Edhe kjo e fundit është një pakicë e konsiderueshme. Trump ka bërë së fundmi gafat e veta, duke ngatërruar Nikki Haley me Nancy Pelosi, dhe presidentin e Turqisë me kryeministrin e Hungarisë.

Sigurisht, udhëheqësit shumë të moshuar nuk janë një problem unik vetëm për Amerikën. Mendoni pak për aleatin e Shteteve të Bashkuara, Izraelin, të udhëhequr nga 74-vjeçari Benjamin Netanyahu, në një moment shumë kritik të historisë së tij. Sa për kundërshtarët tanë:Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, është 84 vjeç, ai rus Vladimir Putin është 71 vjeç, ndërsa presidenti i Kinës Xi Jinping është 70 vjeç.

Kur Mbreti Charles III u ngjit në fronin e Britanisë në vitin 2022, në moshën 73-vjeçare, ai u bë personi më i moshuar në histori që e ka bërë diçka të tillë. Të hënën e kaluar, 18 muaj pas fillimit të mbretërimit të tij, Buckingham Palace, njoftoi se monarku është prekur nga “një formë kanceri”.

Lloji i tij nuk është specifikuar, gjë që ka nxitur thashethemet se ai mund të jetë agresiv apo edhe terminal (në stadin e fundit, pra i pashërueshëm). Me këshillën e mjekëve të tij, mbreti do të tërhiqet nga disa nga detyrat e tij, që do të kryhen nga këshilltarët e shtetit, Mbretëresha Camilla dhe Princi Uilliam.

Por të tjerët, si Joe Biden, kanë role edhe më të rëndësishme për të luajtur. Ka një arsye pse kemi praktikën e “daljes në pension”. Dy fazat e fundit të jetës janë të përshtatshme për kohën e lirë, për të kaluar një kohë cilësore me njerëzit e dashur dhe për të bërë paqe me Zotin.

Tek e fundit, çfarë vjen më pas? Siç i pëlqente të thoshte xhaxhai im Frank, që vdiq në moshën 98-vjeçare “një leje e përjetshme”. Ajo ku pleqëria nuk përshtatet mirë, është tek një rol udhëheqës shumë kërkues dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm. Si për shembull kur je president i Shteteve të Bashkuara.

Kur trupi ynë fillon të ngadalësohet, kjo është një shenjë se ndryshimi i ritmit është në rregull, dhe se ne jemi në një sezon tjetër të jetës. Rezistenca dhe mohimi i realitetit, mund të çojnë tek një gjykim i dobët, mendjemadhësi, antagonizëm dhe një shfaqje egoizmit të dëshpëruar, që kur kombinohen me pushtetin janë tejet të rrezikshme.

Sa demokratë dëshirojnë që Joe Biden të kishte hequr dorë nga ri-kandidimi, për t’i hapur rrugë dikujt tjetër? Sa republikanë dëshirojnë që Trump të mos kishte synuar rikthimin në Shtëpinë e Bardhë? Dhe ndërsa Papët e moshuar nuk janë një dukuri e pazakontë, sa katolikë dëshirojnë që Papa Françesku, sot 87 vjeç, të hyjë në një fazë më të qëndrueshme dhe më medituese të papatit së tij?

Nuk është se njerëzit në muzgun e jetës së tyre, nuk mund të sillen në mënyrë racionale apo të jenë krenarë. Mendoni pak për mbretëreshën e Britanisë së Madhe Elizabeth II, që qëndroi në fron deri disa ditë para se të vdiste në moshën 96-vjeçare.

Por më tepër se me plakjen, ka një rënie të aftësive, një përkeqësim të standardeve, dhe një rrezik më të madh për sjellje të pakujdesshme. Dhe të gjitha këto e rritin nevojën për të qenë të përulur. Një shembull i tillë është Papa i ndjerë Benedikti XVI.

Dorëheqja e tij për arsye shëndetësore në moshën 85-vjeçare, hapi rrugën që papët e ardhshëm të bëjnë të njëjtën gjë. Shqetësues është fakti që shumë udhëheqës botërorë janë në fazat e tyre të fundit të jetës, e megjithatë sillen sikur janë të pathyeshëm. Kësisoj, ata i detyrojnë pasardhësit e tyre që të sillen në të njëjtën mënyrë.

Burimi: National Review/Përshtati Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë