"Sipas Bankës Botërore një shqiptar bën mesatarisht 13 vite shkollë. Por kur përshtatet për nga niveli i dijeve që nxë, shifra ulet në vetëm 8.9 vjetë. Pra, ne shpenzojmë 13 vite në shkollë, por mësojmë sa për 8.9 vite. Pra, çdo shqiptar humbet mesatarisht 4.1 vite në shkollë. "
Sabina Veizaj- Të shpenzosh për arsimin, a sjell kjo rritje ekonomike? Kjo është pyetja që ngre një studim, gjetjet e të cilit janë publikuar në gazetën akademike britanike theconversation.com.
Rritja ekonomke udhëhiqet nga ide të reja, nga zbulime që rezultojnë në produkte më të mira dhe produkte teknologjike shumë më efiçente, thuhet në artikull, i cili vijon shpjegimin se kapitali human është lokomotiva e këtij procesi: një forcë pune më e mirëedukuar rrit kthimin përmes kërkimeve dhe zhvillimeve dhe siguron që zbulimet janë më të gatshme për tu përthithur në strukturën produktive të ekonomisë. Në fund, më shumë barazi në edukim, më shumë rritje ekonomike.
Çdo qeveri është koshiente se investimi në arsim është një kthim shumë-fish i sigurt.
Prandaj dhe kryeministri Rama, në programin e Rilindjes në vitin 2013, me të cilin erdhi në pushtet kishe parashikuar që 5% e PBB-së do të shkonte për arsimin.
Por çfarë ndodhi 4 vjet më pas?
Referuar "Analizës së Programit Buxhetor Afatmesëm PBA 2018-2020 dhe e projektbuxhetit për vitin 2018 në fushën e Arsimit Parauniversitar” që ka kryer Fondacioni Sorros, rezulton se shpenzimet për fushën e arsimit shqiptar janë shumë larg nevojave.
Ndërsa vendet e BE kanë shpenzuar mesatarisht 4.9 % të PBB-së për arsimin nga fondet publike për të gjitha ciklet e arsimit në vitin 2015, në Shqipëri për vitin 2018 shpenzimet e buxhetit për arsimin në % të PBB-së janë planifikuar në nivelin 2.49% të PBB ose 8.26% e shpenzimeve publike.
Bazuar në analizën e të dhënave buxhetore del se shpenzimet e buxhetit për arsimin në % të PBB rriten me 0.9% në vitin 2018 krahasuar me vitin 2017, por trendi rezulton se ato janë 0.7% më të ulëta se në vitin 2016. Kjo shifër tregon trendin rënës të investimeve në arsim.
Për vitin 2018 fondet e Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve (MARS-së) për arsimin parauniversitar (APU-në) janë 2.11% e PBB-së dhe 7.02% e shpenzimeve totale të konsoliduara.
Objektivi i vendosur në strategjinë e APU është që ato të arrijnë në vlerën 2.73% e
PBB-së, ose e thënë ndryshe të arrijnë në vlerën 9.43% e shpenzimeve të konsoliduara të buxhetit.
Shpenzimet për nxënës për APU janë larg objektivit të parashikuar në strategji pasi:
- Në Arsimin bazë në vitin 2018 do të shpenzohen 68.5 mijë lekë.
- Në Arsimin e mesëm 74.2 mijë lekë.
- Krahasuar me planifikimin e APU ku është vendosur objektivi politik që shpenzimet për nxënës duhet të jenë në nivelin e 92 mijë lekë.
Tavanet e miratuara sipas PBA janë më të ulta se nevojat e sektorit sipas strategjisë për të gjithë periudhën 2018-2020. Për vitin 2018 hendeku është më i ulët. Ai llogaritet në masën 5.85 pikë përqindje ose 16.3 milion Euro.
Analiza e Sorros thekson se pesha e shpenzimeve është e vogël si për fëmijët me aftësi të kufizuara, trajnime të mësuesëve ndihmës, biblioteka, laboratorë, etj.
Duke iu referuar artikullit të theconversation.com; në praktikë, kërkuesit dhe politikbërësit shpesh kanë pyetur për kthimin agregat efektiv për shpenzimet në edukim.
Me pak fjalë, pyetja është: shpenzimet e qeverisë për arsimin, çojnë në rritje ekonomike?
Disa fakte
Duke iu referuar të dhënave të Bankës Botërore, është e mundur të vlerësohet korrelacioni mes shpenzimeve qeveritare për edukim dhe PBB-së në një numër të madh vendesh.
Vlerësimet tregojnë që për cdo dollar, qeveria shpenzon në arsim, PBB rritet mesatarisht me 20$.
Kur vlerësimi bëhet vetëm për Australinë, treguesi është pak më i lartë: një shtesë prej 1 $ për shpenzimet e arsimit rrit PBB-në australiane me 21 dollarë.
Këto rezultate ngrenë disa pyetje. Një shqetësim evident është se një vend me PBB më të madhe, shpenzon gjithashtu më shumë në edukim. Kjo paraqet një risk në të anasjelltën; që është, modeli duhet të kapë efektin e madhësisë së PBB-së në shpenzimet për arsimin dhe jo anasjelltas.
Grafiku më poshtë adreson limitet
Në grafik, PBB është matur nga norma vjetor e rritjes mes viteve 2000 dhe 2010 dhe shpenzimet në edukim janë matur si shpërndarje e totalit të PBB-së gjatë periudhës 1990-1999. Kjo mospërputhje kohore redukton rrezikun e shkakut të kundërt
Pikat tregojnë kombinimet e shpenzimeve për arsimin dhe rritjen e PBB-së për çdo prej 151 vendeve për të cilat të dhënat janë të disponueshme nga Banka Botërore.
Vija e kuqe tregon përafrimin më të mirë statistikor të shpërndarjes bi-dimensionale. Treguesi pozitiv kupton që vendet që kanë shpenzuar më shumë në edukim si pjesë e PBB-së në vitet 1990-1999 parashikohet të kenë rritje më të shpejtë ekonomike në dekadën e ardhshme.
Më konkretisht, një rritje e shpenzimeve të PBB-së në edukim me një pikë (nga 4.5% në 5.5%) e ngre rritjen ekonomike (PBB-në) me 0.9 pikë përqindjeje (nga 4.5% në 5.4%).
Çfarë mund të thonë akademikët në lidhje me këtë?
Kërkime të shumta janë zhvilluar për të analizuar efektet e edukimit në rritjen ekonomike.
Kërkimet akademike në këtë fushë janë karakterizuar nga një shkallë e caktuar kompleksiteti dhe rezultatet shpesh ndryshojnë në varësi të metodologjisë së përdorur, kampionit, ose si edukimi është matur.
Një vëzhgim ka identifikuar 57 studime, shumë prej të cilëve masin edukimin në terma të rritjes (norma e regjistrimit, të shkruarit e të lexuarit, vitet e shkollimit në forcën e punës) më shumë se sa shpenzimet.
Por studimet që hedhin vështrimin tek shpenzimet për edukimin si një fuqi, kanë dhënë efekte pozitive në rritje.
Një meta-analizë e kohëve të fundit ka konsideruar 29 dokumente që në mënyrë specifike shikojnë ndikimin e shpenzimeve për arsim nga qeveria në rritjen ekonomike. Nga këto 29 studime, 14 raportojnë një efekt pozitiv dhe statistikisht domethënë të shpenzimeve qeveritare për arsimin në rritje të PBB-së, 12 raportjnë një efekt negativ, dhe 3 nuk raportojnë ndonjë efekt domethënës.
Mesatarja e të gjitha studimeve tregon se efekti i shpenzimeve për studim në rritje është pozitive - ndonëse modeste - në trend rritës prej 0.2-0.3% për një rritje të shpenzimeve me 1% të PBB-së.
Të gjitha këto studime hedhin vështrimin tek një efekt direkt të shpenzimeve për edukimin në rritje të ekonomisë. Megjithatë, nëse të ardhurat nga edukimi ndikojnë rritjen ekonomike, dhe shpenzimet për edukimin ndikojnë të ardhurat nga edukimi, mandej shpenzimet gjithashtu kanë një efekt indirekt në rritje.
Vlerësimet e fundit që përdorin të dhënat e SHBA sugjerojnë se ky efekt i tërthortë mund të jetë i madh: një rritje prej 10% në shpenzimet për çdo nxënës për çdo vit për 12 klasë të shkollës publike u gjet që të çojë në 0.27 vite të tjera të përfunduara të arsimit, 7.25% paga më të larta dhe 3.67 ulje në përqindje në incidencën vjetore të varfërisë së të rriturve.
Një aspekt i rëndësishëm që vetëm pak kohë më parë është trajtuar nga disa studime është ai i "cilësisë" të arsimit, siç matet, për shembull, nga rezultatet e provës.
Një studim i tillë përdor testet ndërkombëtare të arritjeve të nxënësve për të ndërtuar një masë aftësish njohëse që varion nga 3 në 5.5. Raporti tregon se rritja në këtë masë me 0.6 është e lidhur me një normë mesatare vjetore rritjeje prej dy pikë përqindjeje në PBB për frymë për 40 vjet.
Pyetja që ngrihet është se si të prodhojmë arsim cilësor? Autorët e këtij studimi i konsiderojnë disa nga drejtuesit e rezultateve të testit, por nuk përfshijnë shpenzimet e arsimit në analizën e tyre. Kjo paraqet një rrugë interesante për hulumtime të ardhshme.
Në të njëjtën kohë, Banka Botërore mat indikatorin "Learning-adjusted Years of School", numrin e viteve të shkollës i korrektuar me nivelin e dijeve të marra. Formula e propozuar : treguesit e viteve të shkollës iu integruan rezultateve të testit të PISA-s, që mat nivelin e dijeve të nxënësve 15 vjeçar në çdo vend të botës.
Duke marrë si etalon Singaporin, vendin e parë në testin e PISA-s, studiuesit mund të krahasonin diferencën e dijeve për të njëtin numër vitesh shkollë mes nxënësve nga vendet e ndryshme, ose anasjelltas. Sa vite më shumë në shkolle u duheshin nxënësve të një vendi X për të arritur nivelin e dijeve të bashkëmoshatarëve të tyre nga Singapori.
Sipas Bankës Botërore një shqiptar bën mesatarisht 13 vite shkollë. Por kur përshtatet për nga niveli i dijeve që nxë, shifra ulet në vetëm 8.9 vjetë. Pra, ne shpenzojmë 13 vite në shkollë, por mësojmë sa për 8.9 vite. Pra, çdo shqiptar humbet mesatarisht 4.1 vite në shkollë. Këtë humbje dhe shpërdorim, ekspertët e shpjegojnë me cilësinë e mjerueshme të sistemit tonë arsimor.Vetëm për 400 mijë nxënësit që janë në shkollat fillore dhe të mesme të vendit, Shqipëria humbet 126 mijë vite arsimore në vit.
Dr Ndriçim Mehmeti, pedagog dhe njohës i problematikave të sistemit arsimor parauniversitar thotë se problemi qëndron në mungesën e investimit në burime njerëzore.
Sipas tij në vend ekzistojnë burime të kualifikuara dhe vende pune, por mungon një strategji, një urë lidhëse për të trajnuar dhe çuar profesionistin tek vendi i punës. Kjo sipas Mehmetit vjen se shpenzohet për “Kinkalerira” në vend që të kiet një strategji e qartë për cilësi në sistemin arsimor, të shpenzohet për cilësi dhe burime njerëzore.
“Në Hollandë shkolla e mesme profesionale që është e lidhur me kompaninë Philips, kushton në bursë 5 mln euro. E kërkoi ta blinte General Motors dhe qeveria nuk e lejoi. I tha nëqoftëse nuk e përballon dot ti, e financojmë ne dhe në asnjë mënyrë nuk do të shitet. A funskionojnë shkollat profesionale me efiçencë në vendin tonë? Sa nxënës janë dhe sa të punësuar? Nuk i do njeri profesionistët. Duhet investuar në cilësi”- thotë Mehmeti.
Dhe si rrjedhojë e gjithë zinxhirit, rezulton se Shqipëria renditet në mesin e 15 vendeve për emigracionin më të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore. Studimi është kryer nga ekspertët Ilir Gëdeshi dhe Russell King për llogari të PNUD. Në 2010 dhe 2011 rezulton se emigrimi i shqiptarëve të arsimuar është rritur me 223 % krahasuar me vitet 2000-2001.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.