Gazeta Si – Prokurori i Brukselit, Julien Moinil, ka qenë nën mbrojtje të përhershme që nga korriku, pasi policia federale mori informacion se kundër tij po planifikohej një komplot vrasjeje.
Kërcënimet u konsideruan shumë serioze dhe specifike dhe u hap një hetim gjyqësor. Policia kreu 18 kontrolle shtëpish të martën në lidhje me rastin, kryesisht në Bruksel, por edhe në Leuven.
Tetë persona u arrestuan dhe u morën në pyetje, por pas dy ditësh, ata u liruan, sepse nuk kishte prova që i përfshinte.
“Nuk ka indikacione të mjaftueshme serioze për të justifikuar arrestimin e tyre, – njoftoi zyra e prokurorit federal. – Hetimi gjyqësor vazhdon, përfshirë analizën e sendeve të sekuestruara. Në këtë fazë të hetimit, nuk mund të ofrohen informacione të mëtejshme”.
Por më herët, zyra e prokurorit federal kishte njoftuar se “të dyshuarit kryesorë duket se kanë një precedent penal për trafik të organizuar droge. Besohet se janë aktivë brenda botës kriminale shqiptare”.
Kështu, sipas media belge “De Standaard”, të cilat kanë siguruar informacione nga dosja hetimore, 8 personat (të arrestuar dhe të liruar më pas), janë anëtarë të klanit “V”.
Bëhet fjalë për një familje trafikantësh droge me origjinë shqiptare që kanë jetuar prej kohësh në Bruksel.
Klani “V”. duket se ka një arsye për të goditur prokurorin e Brukseli, Moinil, pasi ai i nxorri ata para gjykatës në vitin 2020 – kur ende luftonte krimin e rëndë të organizuar në zyrën e prokurorit federal – e cila i dënoi.
Gazeta e Brukselit, “La Dernière Heure”, e cila ndoqi gjyqin para Gjykatës së Apelit, i përshkroi ata si “Daltonët shqiptarë”.
Klani V. trafikonte kokainë, nga Belgjika në Britaninë e Madhe përmes ndarjeve të fshehura në makina.
Në këtë mënyrë, ata dyshohet se kontrabanduan disa qindra kilogramë kokainë përtej Kanalit në më shumë se dyzet dërgesa.
Ata gjithashtu fshehën kokainë në frigoriferë dhe e shpërndanë drogën në të gjithë Europën, ku kishte mbërritur nga Amerika e Jugut me varkë me vela.
Kryetari i bandës, Arjan V., u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Apelit në korrik 2020, por edhe pjesa tjetër e familjes mori dënime të rënda.
Asnjë nga të pandehurit nuk dha deklarata gjatë hetimit. Njëri prej tyre tha, sipas “La Dernière Heure”: “Do të preferoja të shkoja në burg, sesa të përfundoja në varreza”.
Edhe gjatë kohës së tij si prokuror në zyrën e prokurorit federal, Moinil njihej si një luftëtar i paepur kundër krimit. Si prokuror në gjyqin kundër klanit “V”., Moinil thuhet se kërkoi dënime më të ashpra në apel.
Disa të pandehur me të vërtetë morën dënime më të rënda. Hetuesit supozojnë se komploti kundër Moinil u planifikua të paktën pjesërisht nga burgu ku mbahen disa nga udhëheqësit e klanit.
Sipas prokurores federale Ann Fransen, hetimi vërteton se oficerët e policisë dhe magjistratët “që luftojnë pa pushim kundër krimit të organizuar çdo ditë”, kanë nevojë për mbrojtje më të mirë.
“Për këtë qëllim, ministrja e Drejtësisë (Annelies Verlinden), pjesërisht me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik, ka krijuar një grup pune, i cili përfshin magjistratë nga zyra e prokurorit federal. Ky grup pune po përgatit punën legjislative”.
Moinil mori detyrën si prokuror publik në janar dhe e ka kthyer në mision të tij luftën kundër krimit të organizuar në Bruksel.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



