Arsim

Bordi i Akreditimit ‘ngel në klasë’ Universitetet

Nga Gazeta Si- Bordi i Akreditimit të Institucioneve të Arsimit të Lartë ‘nxin’ Universitetet shqiptare në raportin e fundit të prezantuar sot.

Sipas raportit, 50% e programeve kanë probleme me cilësinë e kurrikulës dhe 36 për qind kanë probleme me bibliotekën, librat, infrastrukturën dhe laboratorët. Por, këto mbeten problematika të vogla në krahasim me shqetësime më të mëdha që nxjerr raporti.

Një problematikë që përmendet jo pak herë është cilësia e stafit akademik.

Drejtuesja e Bordit të Akreditimit Shqiponja Telhaj thotë se plagjiatura vijon të jetë prezente në masë.

“Në 2016, 46 për qind e stafit është pa doktoraturë, një shifër e lartë. Nuk bëjnë dot kërkime shkencore sepse nuk kanë kualifikimin e duhur.  Në 2023 është 43 për qind, një shifër që vijon të jetë shumë e lartë. 50 për qind e pedagogëve punojnë part-time dhe ka më shumë pedagogë të jashtëm. Kjo ndikon edhe në nxënien e studentëve”, thotë Telhaj, duke shtuar se stafi që janë pa doktoraturë janë dhe përqindja më e lartë që janë part-time, çka sipas saj, problematika dyfishohet.

Në raport theksohet se stafi akademik që jep leksione nuk ka diplomën e duhur ndërkohë që në programe ndodh që fusha e ekspertizës së pedagogut që jep mësim në një program të caktuar nuk është e njëjtë me lëndën që jep ndërsa ka pedagogë me master që japin mësim në programet e masterit.

Gjithashtu, sipas drejtueses, ka mungesë studimesh të mirëfillta të kërkesës së tregut të punës.

“Duhet të gjejmë një mënyrë për të arritur në pikën që programet që nuk kanë një studim të mirëfilltë tregu nuk kanë pse hapen”, thotë ajo.

Problemet kryesore me literaturën dhe bibliotekën:

-Literatura e përdorur nuk është e kohëve të fundit që është edhe përcaktim ligjor.

-Numër i kufizuar librash në shqip për programet në bibliotekën e universitetit.

-Hapësira e bibliotekës është e vogël dhe jo optimale për studentët

-Ka mungesë aksesi në revistat shkencore online.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë