Politike

Borchardt: Ndryshimi mes pakicës me molotov dhe protestave idealiste të rinisë

Shqipëria mirëpret për të tretin vit me radhë aktivitetin “Shtigjet Rinore”, një nismë e OSBE-së, që këtë vit mbështetet nga qeveria e Sllovakisë si vend kryesues i radhës i këtij institucioni. Nisma ka si objektiv sheshimin e paragjykimeve dhe rritjen e bashkëpunimit mes të rinjëve të rajonit dhe vendeve të Europës Lindore.

Me rastin e këtij aktiviteti, kreu i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt ka përcjellë një mesazh ku thekson rëndësinë që ka për shoqërinë aktivizimi i të rinjve, sidomos në politikë.

“Të rinjtë janë natyrshëm motori i idealizmit dhe përparimit shoqëror. Të rinjtë janë më energjikë dhe më pak cinikë; ata ka ëndrra më të mëdha dhe më pak durim. Përgjatë gjithë historisë, të rinjtë kanë spikatur në të gjitha lëvizjet popullore, që kanë sfiduar sistemet e kalbura politike dhe kanë siguruar përparime në të drejtat e njeriut”, thotë Borchardt.

Këtë motor, kreu i OSBE-së e ka parë edhe në Shqipëri. Pasi kujton angazhimin e të rinjve në protestat kundër importit të mbetjeve, kundër hidrocentraleve që shkatërrojnë zonat e mbrojtura të vendit dhe protestën e fundit studentore, Borchardt kujdeset që të bëjë një dallim mes këtyre protestave dhe protestave të opozitës.

“Ka një ndryshim të qartë mes një fushate të vazhdueshme protestash paqësore, aktive, të sinqerta e vërtet popullore dhe një numri relativisht të vogël njerëzish, që sulmojnë policinë me kokteje Molotovi dhe dëmtojnë pronën publike dhe private”, shkruan ai.

Sipas kreut të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Qeveria nuk kontrollohet e sfidohet në rrugë dhe jashtë institucioneve, por përmes një ekipi lojtarësh legjitim, ku një theks të fortë vendos tek organizatat dhe aktivistët e shoqërisë civile.

“Kjo është arsyeja pse OSBE-ja ka projekte për të nxitur dhe mundësuar pjesëmarrjen e të rinjve, grave dhe grupeve të margjinalizuara në debatin politik dhe në zgjedhje. Kjo është arsyeja pse ne mbështesim punën e institucioneve të pavarura – Avokatëve të Popullit dhe Komisionerëve të ndryshëm – dhe pse nxisim që raporteve të tyre t’u kushtohet më shumë vëmendje në Kuvend. Kjo është arsyeja pse ne vijojmë të punojmë me deputetët e të gjitha partive për të forcuar funksionin mbikëqyrës të komisioneve parlamentare. Kjo është arsyeja pse OSBE-ja merret me rastet e gazetarëve të veçantë të kërcënuar, dhe pse kemi një projekt afatgjatë, me mbështetjen e BE-së, për të forcuar pavarësinë dhe cilësinë e RTSH-së”, vijon ai.

Në fund, Bernd Borchardt ka një apel ndaj opozitës jashtëparlamentare, e cila e ka shënjestruar shpesh se është rreshtuar në krah të qeverisë dhe një për të rinjtë.

“Ne vazhdojmë t’u themi atyre që janë brenda dhe jashtë parlamentit – dhe këtë e përforcojmë me punën tonë këtu – se qeveria ka nevojë për opozitë demokratike më serioze dhe më efektive. Qeveria ka nevojë të sfidohet dhe kritikohet; ajo ka nevojë të shtyhet drejt reformave që synojnë shqiptarët. Është klishe të thuash se të rinjtë janë e ardhmja, se e ardhmja u takon atyre. Kjo është e vërtetë, por vetëm nëse të rinjtë janë të gatshëm ta kapin atë të ardhme për vete, t’ia marrin brezit të vjetër dhe t’i japin formë sipas nevojave të tyre. E ardhmja e Shqipërisë varet nga pjesët më energjike të shoqërisë civile dhe të të gjitha elementeve të tjera të mbikëqyrjes demokratike, në media, në institucione të pavarura e gjetkë, duke marrë përgjegjësinë e tyre me vendosmërinë më të madhe dhe duke e përmbushur atë me përkushtim të sinqertë për ndryshime rrënjësore”, mbyll opinionin e tij kreu i OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt.

 

Më Shumë